Kë po frymëzon në Gjirokastër Bledi Cuci?

0
715

Nga Ago Basha

Ka thuajse një muaj që në Qarkun e Gjirokastrës janë shfaqur siluetat e një ish ministri dhe të një ministreje të qeverisë aktuale. Ende pa filluar zyrtarisht fushata elektorale, elektorati i Qarkut Gjirokastër, tashmë përballet cdo ditë e më tepër me një fushatë elektorale të cilën e kryesojnë Bledi Cuci (prej sot zyrtarisht një ish minister) dhe zonja Kumbaro (që ende mban postin e ministres). Është për tu cuditur se këto fytyra politike ju dërguan elektoratit të qarkut tonë, si një dhuratë nga shefi i Qeverisë, duke zëvendësuar po ashtu disa fytyra të tjera që porsa morën mandatin e popullit të Përmetit, Gjirokastrës dhe Tepelenës, e hodhën atë në kosh për t’ju gëzuar karrikeve ministrore, në vend që t’i shërbenin komunitetit që i kishte votëbesuar. Megjithëse këto fytyra vijnë në qarkun tonë, ashtu me fytyrë të ëmbëlsuar, me një buzëqeshje të shtirur dhe hera-herës edhe të habitur kur shohin dëshpërim në sytë e banorëve të këtij qarku, ata kërkojnë serish një mandat deputeti thjesht me qëllimin për të hipur në karriken ministrore dhe për të harruar sërish ata që i votuan. Ministrja aktuale, zonja Kumbaro, sado që të veshi përparësen dhe të fërgojë vezë a të mbushë speca në Përmet (duke vjedhur Festen e Verës), sërish nuk mund të na mbushë mendjen se ka firmosur një projekt që njëherë e mirë do të vulosë shkatërrimin e pjesës muzeale të Gjirokastrës. ByPassi i Gjirokastrës që ajo po proklamon me të madhe, jo vetëm që është një hambar për të vjelë disa miliona për ata që e porositën, por do t’i heqë njëherë e mirë Gjirokastrës atë pjesë të trashëgimisë muzeale. Në këtë moto punoi edhe ish kryetari i Bashkisë, zoti Bime, që gojët e liga thonë se edhe ai po kërkon tashmë një mandat për deputet, sërish nga radhët e PS. Mbase banorët e Gjirokastrës nuk e kanë harruar shkatërrimin që ky person i bëri lagjes 18 Shtatori me “projektin e famshëm izraelit”. Lënien në harresë të dhjetëra shtëpive karakteristike të Gjirokastrës që u shembën njëra pas tjetrës apo lejet e ndërtimit pa kriter që pushtuan cdo hapësirë të gjelbër duke e kthyer qytetin e gurit, në beton-arme. Por le të kthehemi sërish tek njëri prej këtyre kantidatëve. Pikërisht tek zoti Cuci që endet rrugëve të Gjirokastrës me një shpurë të administratës publike duke na dhënë shown e radhës sesi arroganca e pushtetit, vendos nën thundrën politike edhe administratën publike. Një kundërpërgjigje të tillë bën edhe deputeti i LSI-së në po këtë qark, vecse në zonën tjetër të influencës, pikërisht në administratën e Bashkisë, apo në atë të Spitalit Rajonal, ku ka emëruar Sanco Pancon e tij politik. Hera e parë që Cuci është shfaqur në Gjirokastër, ishte kur në Kalanë e Gjirokastrës, u martua deputeti i qarkut tonë, Erion Veliaj me kursimet e famshme nga shportat e fiqve. Që pas asaj dasme nuk pamë ndonjë deputet, le më ministër të vizitonte qofte një herë të vetme ndonjë bashki të këtij qarku, thua se ne nuk paskemi halle për të qarë me deputetët e zonës. Edhe ca këmba urash që ngriti Anastas Angjeli mbi lumin e Zhulatit, mbetën si brinjë keci të thara në diell sa i përpiu lumi dhe u varrosën njëherë e mirë. Është paksa qesharake kur shikon zotin Cuci që me një zell të madh (si foshnjat kur hedhin hapat e parë të jetës) përpiqet të shkelë cdo cep të Qarkut Gjirokastër, herë i shoqëruar nga “Tërmeti i Tepelenës” a herë nga ndonjë drejtor me fytyrën tërë yndyrë dhe qafën e dhjamosur në kurrizin e banorëve të zonës. Ftohtësine që ndjen në Qarkun tonë zoti Cuci, nuk mund t’ja heqi as shalli i madh që mban rreth qafës, dhe as “selfiet” me punonjësit e administratës publike që e kanë të ndaluar pjesëmarrjen në politikë gjatë orarit të punës. Dhe e gjitha kjo bëhet kur duhen ende muaj që të zyrtarizohet fushata elektorale. Ajo që është esenciale dhe vlen t’ju kujtojmë votuesve të Qarkut Gjirokastër, është se vota e tyre nuk duhet të shërbejë si një trampolinë për të kërcyer në karriken ministrore as Cuci, e as Mirela, sepse sikundër paraardhësit e tyre, edhe këta do t’i hedhin në kosh premtimet që po ju bëjnë dhe do të ulen sërish në karriket ministrore, aty ku firmat për një tender, janë më të rëndësishme, se të gjitha hallet tona të mara sëbashku.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here