Këshilli i Europës, thirrje Ramës: Hiq dorë nga paketa anti-shpifje

0
167

Stefan Schennach (Austri, SOC), Raportuesi i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për lirinë e medias dhe mbrojtjen e gazetarëve, ka shprehur sot shqetësimin e tij serioz në lidhje me mundësinë që Parlamenti i Shqipërisë të miratojë një nismë ligjore, e cilësuar si paketa antishpifje.

Në nisje të sesionit të ri parlamentar, kryeministri Edi Rama kërkoi nga deputetët të shqyrtojnë me prioritet paketën.

Nisma është kritikuar gjerësisht më herët nga organizatat ndërkombëtare për lirinë e medias, ndërsa paketa është hedhur poshtë nga Komisioni i Venecias.

“Legjislacioni i propozuar nga Kryeministri shqiptar si një paketë anti-shpifje synon të krijojë një organ administrativ që do të fuqizohet dhe të urdhërojë mediat të heqin raportet e lajmeve mbi çështje të tilla si ‘cenimi i dinjitetit të individëve’. Është e qartë se një ligj i tillë mund të ketë një efekt tronditës mbi lirinë e medias për shkak të kushteve të tij të gjera”, thotë Schennach.

“Unë i referohem Opinionit të Komisionit të Venecias Nr. 980/2020 të 19 qershorit 2020, i cili shprehet qartë se ligji është i paqartë dhe ka të ngjarë të ketë efekt në shtypjen e fjalës së lirë”.

“Nëse nisma nuk rishikohet, rrezikon t’i bëjë më shumë dëm sesa dobi lirisë së shprehjes në Shqipëri, për sa i përket mediave në internet, “shtoi z. Schennach.

“Prandaj, unë nxis parlamentin shqiptar të heqë dorë nga propozimet aktuale dhe të rifillojë të gjithë procesin,” përfundoi raportuesi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here