Kolaudimi i makinave nuk do jepet me koncesion

0
160

Qeveria është tërhequr nga koncesioni i parashikuar në projektbuxhetin e vitit 2022 për ndërtimin e infrastrukturës së të dhënave dhe mbikëqyrjes së qendrave të kontrollit teknik të mjeteve rrugore.

Koncesioni i listuar mes 7 kontratave të mundshme për të nisur në vitin që vjen, është hequr nga lista për shkak se shërbimi ofrohet nga DPSHTRR. Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministrja e Financave Delina Ibrahimaj në Komisionin e Ekonomisë.

“Në listën totale shtesë të koncesioneve të cilat mund të zhvillohen, kemi hequr koncesionin e kolaudimit, i cili është një shërbim që kryhet nga DPSHTRR, dhe ishte i mbetur aty prej vitesh”, u shpreh Ibrahimaj.

Edhe për dy koncesionet e tjera të kësaj liste ai i segmentit rrugor Milot-Fier në vlerën e 178,2 miliardë lekë dhe ai i triportit Vlorë me vlerë 5.612 miliardë lekë, janë rishikuar.

“Kemi bërë disa rishikime në vlera për koncesionet për Aeroportin e Sarandës, për triport Vlorë dhe për rrugën Milot-Fier duke e zvogëluar vlerën e tyre”, tha Ibrahimaj.

Në listën e investimeve është saktësuar vlera totale e cila do të investohet në Rrugën e Arbrit.

“Kemi saktësuar shifrën e rrugës së Arbrit, e cila në tabelën e mëparshme kishte një vlerë  deri në fund të projektit. Është saktësuar vlera e rrugës që është 40.3 miliardë lekë me TVSH”, u shpreh ministrja.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here