Komisioni i Jashtëm i Senatit miraton emërimin e Yuri Kimit për postin e ambasadores në Shqipëri

0
133

Komisioni i Senatit për Marrëdhënie me Jashtë miratoi emërimin e diplomates Yuri Kim për postin e ambasadores së Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Për t’u bërë zyrtar, emërimi i saj duhet të miratohet nga Senati.

Komisioni votoi për 15 emërime, përfshirë për të emëruarin për postin e Ambasadorit amerikan në Rusi, John Sullivan.

Zonja Kim, ishte emëruar nga Presidenti Donald Trump në qershor të këtij viti

Në një seancë para Komisionit të Jashtëm të Senatit për konfirmimin e saj në fund të tetorit, ajo tha se do të nxiste udhëheqësit e vendit për të zgjidhur ngërçin aktual politik në mënyrë që të forcohet perspektiva e hapjes së negociatave të anëtarësimit në BE.

Zonja Kim shtoi se do të inkurajonte gjithashtu Shqipërinë të zbatonte plotësisht reformat në drejtësi, përfshirë kontrollin e figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe krijimin e strukturave të posaçme për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Ajo tha se sheh si përparësi edhe ndihmën teknike për Shqipërinë në hetimin, ndjekjen dhe ndëshkimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar ndërnacional.

Zonja Kim tha gjithashtu se do të inkurajonte Shqipërinë për të arritur nivelin 2 përqind në shpenzimet e mbrojtjes deri në vitin 2024.

Zonja Kim tha se nëse konfirmohet, do të punonte gjithashtu për të nxitur eksportet dhe investimet amerikane në Shqipëri.

Nëse konfirmohet, Yuri Kim do të ishte gruaja e parë koreano-amerikane që përfaqëson SHBA në postin e një ambasadori, do të ishte gjithashtu personi i parë nga territori amerikan i Guamit që shërben në një post të tillë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here