KPK shkarkon nga detyra prokurorin e Apelit Vlorë, Pelivan Malaj

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të hënën vendimin për shkarkimin në detyra të prokurorit të Apelit Vlorë, Pelivan Malaj.
Procesi i vetingut për prokurorin Malaj u krye nga trupi gjykues i kryesuar nga Lulzim Hamitaj, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtare Pamela Qirkon, që vendosi përfundimin e hetimit administrativ vetëm për kriterin e pasurisë.
Pelivan Malaj e ka nisur karrierën në sistemin e drejtësisë si avokat. Në vitet 1998 dhe 1999 ai ka punuar si prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Vlorë dhe në maj 2003 është emëruar në prokurorinë e Apelit Vlorë, ku ka shërbyer për gati dy dekada. Malaj ka qenë gjithashtu kryetar i Shoqatës së Prokurorëve.
KPK konstatoi mospërputhje dhe pasaktësi në deklarimin e disa pasurive, burimeve dhe çmimeve të tyre, si edhe mosdeklarime të disa pronave të tjera, ndërkohë që të ardhurat nga avokatia të pretenduara nga subjekti i rivlerësimit u konsideruan të padokumentuara.
Gjithashtu u konstatuan balanca negative në vlera të konsiderueshme gjatë disa viteve.
Prokurori Malaj i kundërshtoi gjetjet e KPK-së dhe kërkoi përfshirjen në analizën financiare të të ardhurave nga avokatia, duke këmbëngulur në ligjshmërinë e tyre.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment