Ku (t)i ke(sh) direktivat o shtet

Ku ishte shteti? Ku ishin direktivat e Emergjencave Civile në Bashkinë e Gjirokastrës për të orjentuar banorët sesi t’i bënin ballë një tërmeti të mundshëm katastrofal? Këto pyetje lindin natyrshëm në një situatë të pazakontë që kaploi Gjirokastrën dhe banorët e saj fundjavën që po shkon bashkë me tërmetin (të shpresojmë). E ndërsa në Greqinë veriore qytetarët informoheshin periodikisht se kur do të ndodhë tërmeti i radhës dhe masat që duhet të merrnin nga autoritetet, këtu tek ne në Gjrokastër dhe jugun e vendit, shteti e kish pushim. Papërgjegjshmëria ka emrin shtet. Një shtet që është debitor ndaj nesh për cdo veprim ku taksat tona, shkojnë në ajër, ku kujdesi ndaj nesh, është zero. Spitali Rajonal në Gjirokastër në gjumë, Policia e Mbrojtjes ndaj Zjarrit dhe Shpëtimit në gjumë, Shtabi i Emergjencave Civile në Bashkinë e Gjirokastrës në gjumë. Kjo do të thotë se në rast të një katastrofe të mundshme, asnjë institucion nuk ishte gati të priste të plagosurit eventualë, apo të ndërhynte në rast shembje shtëpish. Thuhet nga të vjetërit se deri para 500 vjetësh, Gjirokastra është rrënuar tre herë nga tërmetet. Të gjendur në këto kushte, qytetarëve nuk u ka ngelur asgjë vecse të falen dhe luten si në mesjetë tek një fuqi e mbinatyrshme që të ndalë zemërimin.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment