Kunata e Bledi Çuçit në krye të ISHP, e mbytur me skandale

0
178

ISHP në muajin mars njoftoi një tender, me një fond limit rreth 1 milion euro, për spërkatjen e plazheve në të gjithë zonën turistike të Shqipërisë. Fillon në Shkodër, në Lezhë, më tej në Durrës, zbriste në Divjakë dhe më në fund në Vlorë. Një tender që kaloi në njëmijë e një peripeci.

Por, turizmi shqiptar këtë vit kaloi mes mushkonjash. Sidomos Velipoja dhe perla e Shqipërisë, Joni. Kaloi mes mushkonjash dhe pati ankesa pa fund nga qytetarë dhe pushuesit sepse ISHP, (Instituti i Shëndetit Publik) zhvilloi një tender korruptiv. Një tender ku janë përfshirë dhjetëra zyrtarë dhe askush nuk po mban përgjegjësi.

Tenderi ishte i ndarë në katër lote, dy prej të cilave përfunduan në korrik dhe po ashtu u zbatuan në fund të korrikut, fillimi i gushtit në Durrës dhe në Divjakë. Pra, gati në mesin apo fundin e sezonit turistik.

Por, Velipoja dhe Vlora kaluan një sezon turistik pa spërkatje. Me mushkonja dhe miza, e mbuluar nga pisllëqet dhe askush nuk reagon.

ISHP u kap në korrupsion dhe këtë nuk e thonë mediat, por e thotë vetë Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, e cila drejton edhe Taskforcë Antikorrupsion të Qeverisë. Në një kontroll të këtij institucioni ajo doli në përfundimin se shumë zyrtarë duhet të ishin larguar nga puna dhe se tenderi kishte pasur shumë probleme.

Por, çfarë ndodhi?

Asnjë zyrtar deri më sot nuk është larguar nga detyra. Të gjithë vazhdojnë të jenë në punë dhe më e çuditshmja është se ISHP vazhdon të zhvillojë dy lote të tjera, të mbyllë proçedurën për spërkatjen e Vlorës dhe Velipojës, sipas procedurës së tenderit të filluar në mars.

Dhe do të jenë disa qindra miliona lekë, të cilët mesa duket ISHP-ja do t’i “përdorë për spërkatje”, në nëntor apo dhjetor që nuk do t’i bëjnë efekt askujt. Që nuk kanë më asnjë vlerë.

Imagjinoni në vjeshtë në shira, në dimër, ISHP-ja do të bëjë spërkatje. Se përse dhe kujt i duhen, këtë mund ta dijë vetëm drejtoresha e ISHP-së dhe zyrtarët e korruptuar të këtij institucioni, të cilët u kapën në këtë skandal, por askush nuk po reagon.

Pati një denoncim nga emisioni “Stop”, disa shkrime në Gazeta Shqiptare, por gjithçka u mjaftua me kaq.

Drejtoresha vazhdoi punën e saj, me gjithë skandalin për mos spërkatjen e zonave turistike gjatë verës. me gjithë denoncimin dhe raportin e Task-Forcës së Qeverisë. Por, gjithçka ka ngecur, tek fjalët. Denoncimet vazhdojnë, por ashtu vazhdon punën edhe drejtoresha e ISHP-së, e cila në mënyrë abuzive së bashku me stafin e saj janë përfshirë në disa skandale, tenderi, copëtimi, ankimimet, por edhe fakti se nuk ndodhi spërkatja në zonat turistike të Shqipërisë. Por, tashmë lind pyetja. Kush është kjo drejtoreshë kaq e fuqishme, që kapet në skandale, denoncohet dhe nuk i hyn një gjemb në këmbë, por vazhdon të qëndrojë e fortë në krye të institucionit?

Ajo quhet Albana Fico. Kush nuk e njeh mjafton të bëjë një kërkim të thjeshtë. Albana Fico është motra e Delina Ficos, gruas së Blendi Çuçit, ministrit aktual të Bujqësisë. Një mburojë e saj është ministri Çuçi. Por, një tjetër mburojë është vetë kryeministri Edi Rama.

Kujtojmë këtu se zonja Fico është ish-bashkëshortja e dytë e kryeministrit në detyrë, Edi Rama.

Pra, me pak fjalë ish-kunata e Edi Ramës dhe kunata aktuale e Blendi Çuçit drejton ISHP-në, institucionin ku ka ndodhur skandali. Dhe prandaj mesa duket ajo vazhdon e qetë detyrën e saj. Vazhdon të mos shqetësohet aspak për skandalin e saj apo të institucionit. Vazhdon detyrën edhe pse është kapur në shkelje të rënda ligjore. Jo nga mediat, por nga vetë një institucion i qeverisë shqiptare, Task Forca Antikorrupsion.

Por, Albana Fico, ish-kunata e Ramës dhe kunata aktuale e Blendi Çuçit është e sigurtë në detyrën e saj. Vazhdo të qëndrojë në krye të institucionit, e mbuluar nga shumë skandale.

Jo vetëm fakti i një milion eurove, por dhe fakti tjetër që një sezon i tërë turistik kaloi pa spërkatje. Që turizmi i Shqipërisë u mbulua nga mushkonjat. Dhe kjo jo për faj të kryeministri, as të Çuçit, por për faj të kunatës së tyre e cila drejton ISHP-në dhe strukturave në varësi të saj që janë përfshirë në skandale, shkelje dhe abuzim dhe askush nuk mban përgjegjësi dhe as nuk jep një zgjidhje përfundimtare.

Por, mesa duket do të duan ta çojnë deri në fund abuzimin me spërkatjen e zonave turistike në vjeshtë apo në dimër, e padëgjuar më parë. Dhe thjeshtë dhe vetëm duket të jetë një abuzim me qindra milionë lekë.

Burimi: CNA.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here