Kurz përcjell Ramën: Ju mbështesim për negociatat, por nuk kemi një datë

Kancelari Sebastian Kurz tha të mërkurën se Austria mbështet fuqishëm integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE, por shtoi se nuk mund të jepte një datë të saktë për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë.

Për këtë ai tha se pengesë janë problemet e brendshme me të cilat disa vende të Unionit po përballen.

Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama në Vienë, kancelari austriak, vendi i të cilit merr presidencën e radhës të BE-së në Korrik, tha:

‘Nuk mund t’ju jap një përgjigje apo siguri të qartë. Ka disa shtete të BE që për shkak të problemeve të rëndësishme e kanë të vështirë të thonë po, megjithatë ka një dëshirë të fortë në Shqipëri për të kryer reformat dhe ka një mundësi të mirë. Nuk e di se kur mund të merret ky vendim, por mund t’ju them se Shqipëria është në një rrugë të mirë.’

Por pavarësisht se jemi një muaj para vendimit të Këshillit të Europës për hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë në BE, tema kryesore e diskutimit mes dy kryeministrave ka qenë rruga e re e emigracionit të paligjshëm që po shfaqet në Ballkan. Refugjatë të paligjshëm, mes të cilëve sirianë dhe pakistanezë, po përdorin tranzit Shqipërinë në rrugën e re nga Turqia e Greqia drejt vendeve perëndimore të BE.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment