Kush është Ardi Veliu dhe përse ai largohet vetëm ‘paketë me Ramën’

0
153

Nga Poli Hoxha

Po duket qartë se Edi Rama është i gatshëm që të djegë gjithë Tiranën, por drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, i cili është de fakto përgjegjës direket për degradimin në jashtëligjshmëri dhe dhunë ekstreme (deri në vrasjen e Klodian Rashës), nuk e lëshon.

“Kërkojnë dorëheqjen e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë se ndryshe do djegin e shkatërrojnë? Ta harrojnë! Gabon shumë kush kujton se qytetaria e ministrit të brendshëm është dobësi dhe harron se ky shtet është i qytetarëve jo i barbarëve! Pushteti merret me votë jo me djegie!”, u përbetua ditën e djeshme kryeministri.

Pra ta harrojnë të gjithë se në zgjedhjet e 25 Prillit do të shkojmë me një polici ndryshe, të baraslarguar nga palët që garojnë dhe të pabindur ndaj urdhrave politik të Edi Ramës.

Faktikisht Ardi Veliu, as që duhej të ishte zgjedhur fare drejtor i Përgjithshëm i Policisë.

Profili i mëposhtëm, do t’u rikujtojë se si u shkel çdo ligj në mënyrën më të paprecedentë që ai të merrte disa grada njëherësh, vetëm me qëllimin që të kapte postin e lartë të paracaktuar.

Sot kërkohet dorëheqja e Ardi Veliut si përgjegjës për vrasjen e 25-vjeçarit, Klodian Rasha, por nëse do të kishim një shtet ligjor ky personazh nuk do të ishte jo vetën në atë detyrë të lartë, por as polic recepsioni.

Në raportin e fundit të GRECO (Grupimi i Shteteve kundër Korrupsionit) në bashkëpunim me Këshillin e Evropës, ngrihet alarmi i politizimit të skajshëm të policisë së Shtetit. Dhe pikërisht kjo është e vërteta, që e bën Edi Ramën që të kërcejë “pupthi” sa herë që i përmendet largimi i Ardi Veliut.

Te ky individ ai ka gjetur ushtarin e bindur, i cili tashmë e ka vërtetuar me prova, se nuk njeh ligje e rregullore pas çdo telefonate që i vjen nga “Zyra me flutura”.

Por kush është Ardi Veliu dhe përse Edi Rama është i gatshëm që të sakrifikojë jo vetëm Lleshajn, por çdo gjë tjetër për të mos e lëshuar përpara zgjedhjeve të 25 Prillit?!

***

Historia e “shkëlqimit” dhe gradimit të Ardi Veliut si kryepolici i Shqipërisë është një dosje më vete.

Nuk është hera e parë që bëhet krye-lajm në media. Por dalja e parë publike e tij pa letër në dorë dhe live para pak muajve në një mbledhje të Komisionit të Sigurisë, tregoi se në çfarë niveli profesional, inteligjent dhe moral është katandisur udhëheqja e Policisë së Shtetit.

Një individ që tejkaloi mentalitetin e sigurimsit kur merrej me moralin e prindërit të viktimës së policëve të tij, që të tmerronte me përdorimin skandaloz të gjuhës shqipe dhe mbi të gjitha një kryepolic që kishte rënë në kurthin naiv të një sekuence filmike. Kudo në botën perëndimore, as roje i një rajoni policor nuk do të ishte.

Por ja që Ardi Veliu ia ka dalë që të jetë prej 2 vitesh nr.1 i Policisë së Shtetit. Edhe dashamirësit pa kushte të Edi Ramës janë të habitur se si ka mundësi që ai që e mban veten si të lexuar, orator dhe modern, mban në këtë post të lartë një injorant që tejkalon edhe figurat groteske të xhandarëve të kohës së Zogut, nëpër filmat e Kinostudios “Shqipëria e Re”!

Por gjërat nuk janë kaq të thjeshta. Veliu është përdorur jo vetëm nga ish-kumbari i tij Fatmir Xhafaj, por edhe nga vetë kryeministri në disa momente mjaft kritike për atë.

Përdorja e Veliut nga Rama

Ardi Veliu u emërua zyrtarisht në këtë detyrë të rëndësishme menjëherë pas shkarkimit të Haki Çakos, i cili drejtonte blutë e vendit në periudhën e shndërrimit të vendit në një fermë “legale” gjigante kanabisi.

E propozoi për drejtor të përgjithshëm ish-ministrit Fatmir Xhafaj, i cili sipas denoncimeve të opozitës, e kishte porosi dhe merak nga i vëllai, Agron Geron Xhafaj.

Në datën 5 shkurt të vitit 2018, kryeministri Edi Rama firmosi emërimin e Veliut, por nuk harroi që ta kujtonte në një takim konfidencial se pavarësisht se ishte “njeri i Xhafajve”, duhej t’i qëndronte besnik atij deri në fund.

Dhe kështu ndodhi: Xhafaj iku e Veliu ngeli.

Edhe kur përplasej, herë pas here, për tendera qindra-milionësh me ministrin Lleshaj, ndihej i paprekshëm sepse i mban lidhjet direkt me Edi Ramën.

Edhe pas skandalit me nënën e 15-vjeçarit të dhunuar te Liqeni që tronditi atëherë opinionin publik, Ardi Veliu, deklaroi se do të qëndrojë në detyrë pas një bisede telefonike që kishte pasur me kryeministrin. Pra edhe kur atij i shkon ndëmend të iki, është Edi Rama që nuk e lë. Ndaj në protestat e fundit të rinjtë duhet të kuptojnë se Ardi Veliu largohet vetëm paketë me Edi Ramën!

Por le t’i kthehemi profilit të tij.

Ardi Veliu fillimisht u mor në shërbim nga klani i Fatmir Xhafajt, por shumë shpejt ai do të bëhej njeriu “kyç” që u përdor për të nxjerrë Edi Ramën nga disa situate të vështira politike.

Të gjithëve iu kujtohet përfshirja direkte dhe roli i tij gati ordiner, në menaxhimin e skandalit “Babale”. Çështje, e cila ishte bërë politike dhe shpërthyese në skenën e partive kundërshtare për një kohë të gjatë.

Veliu gjeti, përpunoi dhe pagoi direkt një dëshmitarë të rremë.

Gjithashtu roli i tij ka qenë “shpëtues” për Edi Ramën në çështjen e të ashtuquajturit “Eskobari i Ballkanit”, Klement Balili.

Për një kohë të gjatë, policia e Veliut, i cili ka lidhje farefisnore të ngushta me Balilin, bënte sikur e kërkonte dhe e rrethonte, deri në momentin kur Edi Rama mori një ultimatum të prerë nga SHBA. Ju kujtohet kur deklaroi se çështja “Balili” duhej zgjidhur përpara se të mbërrinte në Shqipëri ambasadorja e re Yuri Kim.

Dhe kështu ndodhi. Në lojë u fut Ardi Veliu, i cili nuk i kishte ndërprerë kurrë komunikimet me Balilin. Kopsitën një marrëveshje dorëzimi në fshatin e shumë të kërkuarit. Skenat me këngë e valle dhe kryepolicin e Shqipërisë që bënte shoferin e Balilit, u bënë hit në rrjet.

Edi Rama e ka përdorur Veliun edhe në një çështje tjetër delikate, e cila sot ka shpërthyer në BE.

Pasi mori një ultimatum nga presidenti i Turqisë Erdogan për dorëzimin dhe njëkohësisht rrëmbimin e paprecedentë të gulenistit Harun Çelik, Rama nëpërmjet veprimeve të paligjshme të Veliut e dorëzoi atë në duart e anti-terrorit turk, natën, në mënyrë të pabesë dhe duke shkelur çdo konventë ndërkombëtare.

Sot për veprimet skandaloze të policisë së Veliut është hapur një hetim, nga Bashkimi Europian.

Kush është dhe si u katapultua nga “hiçi”

Ardi Veliu, me shkollim fillestar ushtarak në shkollën Skënderbeg, ka lindur në 2 mars të vitit 1972 në Delvinë. Ai është i martuar dhe është baba i dy fëmijëve. Në vitin 1994 ka mbaruar akademinë e Policisë në Tiranë dhe më pas ka vazhduar atë në Ankara të Turqisë, deri në vitin 1998.

Ai e ka nisur karrierën e tij në polici në vitin 1998 kur ka filluar punë si Komandant i “Postës së Policisë”, në Memaliaj. Më pas ai është emëruar Shef i Policisë së Rendit, në Vlorë. Është shkëputur nga Policia e Shtetit pasi u emërua shef i policisë bashkiake në mandatet e Shpëtim Gjikës. Është rikthyer në polici me detyra “të dorës së dytë” si shef i komisariatit të Policisë në Durrës, Zëvendësdrejtor për Sigurinë në Tiranë, Drejtor i Policisë Rrugore në Drejtorinë e Policisë së Shtetit. Ngritja e tij e vërtetë në hierarkinë policore nisi me emërimin  si drejtor i Policisë së Tiranës në prill të vitit 2017, duke zëvendësuar Ervin Hodajn gjatë rokadës së emërim-shkarkimeve të policisë.

Ndërkohë Fatmir Xhafaj e kishte piketuar për pozicionin më të lartë në Policinë e Shtetit, atë të drejtorit të Përgjithshëm. Por kishte një problem; Veliu nuk kishte as karrierën dhe as gradat e duhura, që përcakton ligji për këtë detyrë të lartë.

Kështu nisi një nga lojërat dhe skandalet më të mëdha në historinë e policisë shqiptare, që nga koha kur ajo është krijuar.

Në ligjin për Policinë e Shtetit nr. 108/2014, neni 55 për kriteret për fitimin e gradës, në rastin “Veliu” janë shkelur në pikën 1, germa ë) në të cilën përcaktohet: të plotësojë kohën e qëndrimit në gradë, sipas afateve të mëposhtme:

iii) nga “Komisar” në “Kryekomisar” 3 vite;

iv) nga “Kryekomisar” në Drejtues” 5 vite;

v) nga “Drejtues” në “Drejtues I parë” 3 vite;

Pra, sipas ligjit, në total kërkohen 11 vite punë në Policinë e Shtetit. Në rastin konkret, punonjësi i policisë Ardi Veliu i ka marrë këto grada në kundërshtim të plotë me ligjin për Policinë e Shtetit duke mos respektuar vitet e qëndrimit në detyrë, sipas kohës së gradave policore.

Konkretisht Ardi Veliu është ri-pranuar në tetor të vitit 2013 duke i marrë të gjitha këto grada për 4 vite dhe jo për 11 siç dikton ligji.

Gjithashtu: Dispozita e dytë që është shkelur në ligjin për Policinë e Shteti posaçërisht për Ardi Veliun nr. 108/2014, është neni 13 për Kriteret e emërimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, pika 2/b në të cilin citohet: “Të ketë të paktën 15 vjet përvojë në polici, nga të cilat të paktën 10 vjet në pozita të larta drejtuese në strukturat e Policisë së Shtetit”.

Ardi Veliu nuk e plotësonte as këtë kriter të ligjit, pasi kishte një kohë të ushtrimit të funksioneve në Policinë e Shtetit në total rreth 12 vite, përkatësisht nga viti 1998 deri në janar 2006 dhe nga tetori 2013 deri më shkurt 2018. Gjithashtu në shkelje po të këtij neni të ligjit, është edhe fakti se Ardi Veliu nuk përmbushte afatin 10-vjeçar të qëndrimit në pozita të larta drejtuese në Policinë e Shtetit sepse i ka ushtruar këto pozita vetëm 3 vitet e fundit.

Ardi Veliu ka qenë pjesë e strukturave të larta drejtuese në zbatimin e planit qeveritar për kanabizimin e territorit të Shqipërisë nën detyrën e Zv/Drejtorit të Rendit dhe Sigurisë Publike në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe në vend që të mbante përgjegjësi, u shpërblye dhe u gradua në mënyrë të jashtëligjshme.

Emërimi i Ardi Veliut në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm në Policinë e Shtetit si dhe gjithë procedurat e ndjekura, (Nga hapja e konkurrimit për gradën Drejtues i parë deri në emërimin e tij), ishin produkt i një pakti të nëndheshëm për kontributin dhe besueshmërisë politike ndaj ministrit të Brendshëm Xhafaj në atë kohë dhe Kryeministrit Rama edhe sot e kësaj dite.

Kjo është vetëm “maja e ajsbergut” për njeriun që Edi Rama vazhdon që ta mbajë në krye të Policisë së Shtetit me çdo kusht. Ky është drejtori i Përgjithshëm i Policisë, me të cilën vendi ynë do të shkojë në zgjedhje vendimtare në 25 Prill.

Një grabitës gradash, mashtrues live në Kuvendin e Shqipërisë, i paaftë dhe me një nivel profesional dhe inteligjence, që po lemeris gjithë shqiptarët.

Përse atëherë Edi Rama vazhdon që ta mbrojë dhe mbajë në këtë pozicion të lartë?!

Përgjigjen e gjeni te plani i tij për “mandatin e tretë” dhe zgjedhjet e 25 Prillit 2021.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here