Kuvendi i Shqipërisë, si noter i qeverisë së Rilindjes

0
193

Raporti monitorues i ISP/ Parlamenti shqiptar ka dështuar për të promovuar pluralizmin në përbërjen dhe vendimet e tij. Në tërësinë e vendimmarrjes së tij Kuvendi u imponua nga pushteti ekzekutiv, duke paralizuar organet Kushtetuese. Ja 14 konkluzionet e monitorimit që dëshmuan kapitullimin e institucionit përfaqësues të sovranitetit të qytetarëve në Shqipëri

Raporti monitorues i ISP: Gjetjet kryesore (shtator-dhjetor 2019) për Kuvendin e Shqipërisë

Parlamenti veproi më shumë si noter institucional i qeverisë së Rilindjes

Instituti i Studimeve Politike ka monitoruar Kuvendin e Shqipërisë në periudhën shtator – dhjetor 2019. Në raportin monitorues, theksohet se Kuvendi në më të shumtën e herëve, me ligjet që ka miratuar, ka vepruar si noter i qeverisë. Kuvendi ka dështuar për të promovuar pluralizmin në përbërjen dhe vendimet e tij. Kuvendi dështoi të miratonte të gjithë anëtarët (për sa i takon) e institucioneve kushtetuese, sipas Kushtetutës. Në tërësinë e tij Kuvendi lejoi të imponohet në aktivitetin e vendimmarrjen e tij nga pushteti ekzekutiv

Ja konkluzionet e raportit monitorues

1- Periudha shtator – dhjetor 2019 është karakterizuar nga aktiviteti formal parlamentar dhe kapërcimi i debatit mbi legjitimitetin. Kuvendi pati vështirësi për të luajtur rolin e organit kryesor vendimmarrës dhe për të promovuar pluralizmin në përbërjen dhe vendimet e tij.

2- Në vlerësimin e ISP, Kuvendi i përmbushi përgjegjësitë e tij në funksionin legjislativ, duke shqyrtuar e miratuar ligje dhe akte të tjera me rëndësi në vendimmarrjen parlamentare. Numri i akteve ligjore është më i vogël sesa e njëjta periudhë e vitit të kaluar (76 akte të miratuara më 2018 dhe 62 më 2019) dhe vetëm 5 ligje të reja u votuan në katër muaj.

3- Parlamenti e përmbushi pjesërisht edhe funksionin e tij të dytë, atë zgjedhor. Ai zgjodhi disa prej funksionarëve të lartë në përgjegjësi të tij, përfshirë dy anëtarë të rinj të Gjykatës Kushtetuese dhe Prokurorin e Përgjithshëm. Vlerësimi i “pjesshëm” lidhet me faktin se parlamenti nuk arriti të marrë vendim për disa vende vakante në përgjegjësi të tij, sidomos në KD të RTSH, AIDSSH etj. Ai gjithashtu nuk bëri përpjekje për zgjidhjen e krizës për zgjedhjen e kryetarit të KLSH. Po ashtu Kuvendi shkarkoi një anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të BSH dhe bëri disa emërime në institucione të pavarura, shumica e të cilave përmes një procedure formale dhe të paracaktuar.

4- Në ushtrimin e funksionit të tij të tretë, funksionin kontrollues, parlamenti nuk arriti ta përmbushë atë. Në tërësinë e tij Kuvendi lejoi të imponohet në aktivitetin e vendimmarrjen e tij nga pushteti ekzekutiv. Gjatë sesionit nuk pati asnjë mocion, komision hetimor dhe as seancë pyetjesh ndaj kryeministrit dhe qeverisë së tij, nuk pati ndjekje të nivelit të zbatimit të ligjeve që miratohen në parlament dhe se në disa nisma të qeverisë. Parlamenti veproi më shumë si noter institucional i saj, sesa si institucioni kryesor i përfaqësimit dhe ushtrimit të sovranitetit qytetar në Shqipëri.

5- Dy nismat më të rëndësishme të kalendarit sezonal të Kuvendit, Komisioni Hetimor lidhur me Presidentin e Republikës dhe Komisioni për Reformën Zgjedhore, e shtynë mandatin e tyre, duke mos arritur të kenë produkt brenda sesionit parlamentar. Nisma të tjera paralele, përfshirë paketa e ndryshimeve në legjislacionin mbi median e komunikimet elektronike apo nisma për investimet strategjike etj., zunë vend prioritar në agjendën parlamentare dhe u votuan përmes kritikave publike vendase dhe të huaja për mungesë të mjaftueshme konsultimi dhe transparence.

6- Ky ishte sesioni i parë i zhvilluar mbi bazën e Rregullores së re të Kuvendit, të ndryshuar në korrik 2019, e cila shton elementët dhe instrumentet e transparencës, përgjegjësisë dhe llogaridhënies. Java elektorale u aplikua në dy raste, por shumica e deputetëve nuk morën pjesë në debatin për problemet e zgjedhësve të tyre. Vetëm 31% u angazhuan për zgjedhësit, një zhvillim gjithsesi pozitiv nga praktikat e të kaluarës.

7 – Të dhënat e monitorimit treguan se rreth 60% e deputetëve të ardhur në parlament gjatë 2019-s në emër të opozitës ishin votues të rregullt “pro” akteve të mazhorancës dhe nismave të qeverisë. Ky është një tregues i ndryshimit të raporteve politike në parlament dhe dobësimit të përfaqësimit opozitar. Mazhoranca fitoi mbështetjen e rregullt e 10-16 deputetëve të rinj në Kuvend, duke dobësuar përfaqësimin dhe duke krijuar mazhorancë absolute për çdo vendimmarrje në interes të saj politik. Për pasojë, është rritur numri i deputetëve që nuk merr pjesë rregullisht në votimet e akteve në Kuvend dhe që ankohen se zëri i tyre nuk po dëgjohet.

8- Kuvendi publikon on line të ardhurat financiare të zyrtarëve të tij përbërës (deputetëve), por mungojnë ende të dhënat e përditësuara mbi stafin, raportet e vlerësimit të brendshëm, raportet vjetore, shpenzimet për aktivitetet publike etj.

9- Rreth 40% e procesverbaleve të komisioneve parlamentare nuk janë publikuar, procedurat drejt miratimit të akteve ligjore shpesh kanë mangësi në dokumentacion dhe programi i transparencës vijon të mos jetë i plotë e funksional.

10- Për sa i përket korrelacionit midis deputetëve me më shumë përfitime financiare dhe nivelit të efektivitetit të tyre në parlament krahasimi tregoi, se në tërësi, deputetët më të “mirë-paguar” në parlament kanë nivele kritike të efikasitetit dhe produktit parlamentar. Vetëm 3 deputetë (2 të PS dhe 1 nga opozita) kanë përputhshmëri midis dy komponentëve.

11- Komisionet e Përhershme dhe të Posaçme përballen me riskun e aktivitetit formal në funksionimin e tyre. Më pak se një e treta e deputetëve është aktive në debatet në komisione. Drejtimi i tyre shpesh është i personalizuar dhe vendimmarrja e paracaktuar.

12- Në aspektin e brendësisë deputetët shfaqin nevojën e trajnimeve të vazhdueshme, asistimit nga ekspertët dhe përgatitjes më të mirë për debatet në parlament dhe të gjithë procesin ligjvënës. ISP ka vlerësuar edhe me parë nevojën për më shumë staf mbështetës në parlament për deputetët e grupet, sidomos për teknikën legjislative.

13- Në total vetëm 6 deputetë të PS patën votë ndryshe nga grupi dhe vetëm dy prej tyre (D. Bushati dhe F. Xhafaj) e shprehën opinionin publikisht. Tri grupet parlamentare nuk kanë miratuar ende Rregulloret e tyre të brendshme si detyrim nga Rregullorja e Kuvendit.

14- Gjatë sesionit pati ministra, të cilët nuk patën asnjë “shqetësim” në parlament, nuk u pyetën, nuk patën nisma ligjore dhe as adresim shqetësimesh, dhe vetë ata nuk morën pjesë në debatet parlamentare.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here