Leximi i drejtë i “ndërkombëtarëve”

0
147

Nga Stiliano Rrushaj

Vendimi politik i djegies së mandateve parlamentare nga Opozita shqiptare e kanë bërë më të dukshme krizën e thellë shumë dimensionale që po përjeton vendi tashmë prej më shumë se një viti. Kriza institucionale u krijua me zgjidhjen e një anshme dhe jo kushtetuese të Prokurores së Përgjithshme [të Përkohshme] në Dhjetor 2017 e më pas me mos funksionimin e Gjykatës Kushtetuese për të garantuar rendin kushtetues nën frymën e ligjit themeltar të shtetit shqiptar. Po aq e rëndë është kriza ekonomike dhe sociale e vendit ku barra e korrupsionit dhe zhvillimit të vendit sipas modelit të PPP po varfëron gjithnjë e më shumë konsumin e brendshëm si dhe po ndryshon në ritme alarmante raportet e grup-moshave nga efektet e një emigrimi masiv të paprecedentë në 28 vitet e fundit.

Këto kriza në dukje të veçanta kanë impaktuar në realitet në thellimin e krizës politike duke ndaluar rrjedhën e proçesit demokratik të vendit. Sistemi politik në Shqipëri është zhbërë jo nga akti i djegies së mandateve por nga shembja e sistemit te vlerave liberale ato të zgjedhjeve të lira e të ndershme.  Deformimi i vullnetit të qytetarëve, tashmë i dëshmuar boterisht me fakte të paprecedenta ku funksionarë të lartë, kanë ushtruar dhe përdorur mjete financiare në këmbim të votës për subjektin politik Partia Socialiste e Shqipërisë.

Në këtë gjendje ku legjitimiteti i mandatit të maxhorancës duhej hetuar nga prokuroria dhe së paku qeveria duhet të kishte dhënë sinjale të para të reflektimit ka ndodhur e kundërta. Në mënyrë të papërgjegjshme maxhoranca e ka shndërruar tempullin e demokracisë në një parlament mono-partiak. Shteti i së drejtës, respektimi i të drejtave të qytetarëve dhe funksionimi i demokracisë është lënë në dorë të një pushteti që ka kapur të gjitha pushtetet dhe ka zhbërë kontrollin kushtetues të Opozitës për të kontrolluar qeverisjen e vendit.

Në këtë kontekst reagimi i kufizuar i disa partnerëve ndërkombëtarë përgjatë ditëve të fundit kanë qënë nën frymën e përmbajtjes së rendit demokratik në vend. Gjuha e përdorur nga disa përfaqësi diplomatike ka qënë e ngurtë, duke anashkaluar zhvillimet apo kontekstin e tyre. Ato kanë qënë në vijimësi të një axhendë formale të komunikimit publik që këto institucione mbajnë me vendin tonë. Ndërkohë disa mediume të lidhura me qeverinë dhe propagandën e saj janë përpjekur të krijojnë një perceptim të shtrembër se si partnerët ndërkombëtar po i qasen situatës.

Kështu nëse do të shohim deklaraten e Përfaqësueses së Lartë të BE Federica Mogherini dhe Komisionerit Johannes Hahn duken qartazi larg thelbit të krizës në vend por e përqëndruar tek një ngjarje që pritej të ndodhte, protesta e 21 Shkurtit. Mesazhet e tyre tregojnë se ato kanë rënë preh e propagandes së qeverisë përgjatë takimit të posaçëm me Ministrin në Detyrë z. Cakaj për një gjendje hipotetike që do të ndodhte – një protestë që do nxisi dhunë nga retorika e liderave politikë. Ndërkohë në faqen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Evropës, takimi me Mogherinin është përcjell në mënyrë rutinore në kontekstin e avancimit të proçesit të integrimit të vendit në BE.

Kështuqë një leximi i drejtë i ndërkombëtarëve duhet së pari të kuptohen se cilët janë përcjellësit e mesazhit. Partnerët ndërkombëtar në kontekstin Evropian janë vendimarrësit kyç në Parlamentin Evropian ku grupi i Partive Popullore Evropiane përbëjnë shumicën drejtuese. Poashtu një reflektim zyrtar do të konsiderohej nga një figurë si Junker apo dhe personalitete të tjera të shquara si Daul, etj. Poashtu në raport me partnerin strategjik SHBA-të, duhet të kuptohet konteksti i mesazhit që përcillet mbi ngjarjen apo situatën për të cilën ai ndërmerret.

Këtë të premte, ishte Grupi i Partive Popullore Evropiane (GPPE) pranë Asamblesë Parlamentare të OSBE në Vjenë-EPP OSCEPA-duke mbajtur një qëndrim mbi zhvillimet e përkeqësuara të demokracisë në Shqipëri për shkak të qeverisë socialiste, korrupsionit dhe trafikimit të drogës. Këto qëndrime iu përcollën poashtu Grupit të Partive Popullore Evropiane, OSBE dhe GPPE pranë Parlamentit Evropian.

Zhvillimet që do të pasojnë do të sjellin poashtu qëndrime më të konsoliduara nga ku do të mund të bëjmë një lexim edhe më të drejtë se si ndërkombëtarët po i qasen krizës në Shqipëri. Kështu duhen parë më kujdes qëndrimet politike të vendimarrësve të shteteve antare të BE poashtu dhe vetë SHBA-së, të cilat më pas mund të ushtrojnë mbështetjen e tyre për të ndihmuar vendin në daljen nga kjo kllapi e papreçedentë. Shqipërisë nuk duhet ti ndërpritet proçesi i integrimit të vendit për shkak të një qeverisjeje që vepron në akte politike të papërgjegjshme. Qytetarët duhet të jenë zot të fateve të tyre, në një moment kaq kyç për demokracinë në Shqipëri, duke i rikthyer proçesit demokratik frymën e kushtetueshmërisë. Në këtë mënyrë zgjidhja do të jetë më e afërt dhe duke patur mbështetjen e drejtë të partnerëve tanë ndërkombëtarë në rrugëtimin tonë demokratik tashmë prej 28 vitesh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here