Duket sikur jemi në ditën e parë të kopështit, ku të gjithë fëmijët kanë nxjerrë shamitë e tyre para edukatores dhe po i mburren se sa bukur i kanë prerë thonjtë!
Është e trishtë kur sheh skena te tilla, të cilat mund edhe të funksionojnë si propagandë për ndonjërin që nuk e ka idenë se cfarë po bëhet në Libohovë, por që te libohovitët lë një shije të hidhur dhe ngjan si një tallje.
Shohim që po i raportojnë kryeministrit se:
-Ështe bërë rikonstruksioni i plotë i bashkisë! Në fakt është rikonstruktuar vetëm fasada e bashkisë, sepse rikonstruksioni i ambjenteve të brendshme të bashkisë është bërë në vitin 2016 dhe janë paguar mbi 24 milionë lekë të vjetra për këtë.
-Është bërë rikonstruksioni i plotë i shkollës! Në fakt është bërë vetëm fasada e shkollës së mesme.
-Është bërë restaurimi i plotë i sarajeve të beut! Nuk kuptohet për çfarë e ka fjalën ministrja Kumbaro në këtë rast, pasi tek sarajet e beut nuk është venë dorë.
-Do të bëhet rikualifikimi i ambjeteve përreth kalasë! Historia e premtimeve për rikonstruksionin e kalasë është kthyer në qesharake tashmë. Është premtuar sa e sa herë, dhe prap vazhdon të premtohet si pa të keq. Kalaja është në gjendje të mjerueshme brenda dhe jashtë saj.
-Ështe shtuar turizmi! Kjo është per të qeshur dhe për të qarë njëkohësisht, pasi Libohova me të vërtetë ka një potencial të madh turistik, por deri tani është treguar totalisht e paaftë per ta zhvilluar turizmin dhe për të ruajtur e për të promovuar trashëgiminë e saj kulturore dhe natyrore. Mjafton të kujtojmë se në ç’gjendje ndodhet Kalaja e Libohovës apo fatin që pati Ura e Hoshtevës, si dhe gjendjen në të cilën ndodhen shumë monumente të tjera në të gjithë bashkinë. Disa turiste që vijnë në Libohovë janë më tepër aksidental. Vijnë nga kurioziteti apo se u bie rruga, bëjnë një xhiro në qendër si të hallakatur sepse nuk dijnë ku të shkojnë dhe askush nuk i orjenton, më pas i hipin makinës e largohen përsëri.
Çdokush i pëlqen gjërat e bukura, dhe rikonstruksioni i qendrës në Libohovë ishte mëse i mirëpritur. Por kur kjo shoqërohet me probleme dhe jo me zgjidhje të tyre, sic është problemi i sistemimit të ujrave të zeza, i cili rrezikon të shndërrohet në një problem shumë të madh për banorët e Libohovës, apo probleme të tjera si në fazën e projektimit ashtu edhe në fazën e realizimit, atëherë ky rikonstruksion fillon të krijojë pakënaqësi te qytetarët, të cilat shtohen e amplifikohen nga propaganda dhe nga rrahjet e gjoksit.
Libohova, dhe e gjithë njësia, ka nevojë urgjente për punë. Ka nevojë që të gjenerojë punësim për banorët e saj. Ka nevojë të përmirësojë cilësinë dhe kushtet e arsimimit të fëmijëve të saj. Ka nevojë ti ofrojë prespektivë të rinjve dhe gjithë familjeve. Ka nevojë ti bëjë të gjitha këto dhe ti bëjë në mënyrë urgjente, përndryshe Libohova është e destinuar të tretet dhe të vdesë.