Llogaria ku gaboi Rama

Nga Bledi KASMI

Rama njoftoi dje pasdite tërheqjen nga gara e Kavajës, ndërsa pritej të mbërrinte atje në mitingun përmbyllës të fushatës. Vendimi ishte i minutës së fundit dhe solli habi edhe tek kandidati i tij në Kavajë që nuk dinte asgjë për vendimin që ishte marrë.

Nga mënyra se si u mor ai vendim mund të kuptohet se ka qenë tërësisht personal i Ramës dhe pa një konsultim me strukturat drejtuese të partisë, por kjo nuk mund të thuhet se nuk ka pasur një konsultim me disa diplomatë që qëndrojnë më me këmbë në tokë dhe që e kanë kuptuar se cilat do të ishin pasojat e zgjedhjeve pa opozitën.

Rama është zbythur dje dhe me një kosto të madhe turpi përpara opinionit publik, të cilën ai mund dhe duhet ta kishte evituar duke mos luajtur me bllofin deri në minutën e fundit. Mënyra se si duhet ta kishte evituar këtë, ishte përmes dialogut dhe gjetjes së një kompromisi me Bashën dhe opozitën.

Ai nuk e bëri këtë. Në vend të gjetjes së një zgjidhje politike përmes shtrirjes së dorës së mirëkuptimit me opozitën, ai preferoi gjunjëzimin. Në vend që të tregonte të paktën një herë të vetme se qëndronte në lartësinë e detyrës që kërkon burra shteti për zgjidhjen e krizave të tilla, Rama u tregua edhe një herë tjetër një burrec.

Vendimi për të tërhequr kandidatin nga Kavaja është për t’u vlerësuar, ndonëse i imponuar dhe mënyra se si Rama e bëri ishte më e gabuara e mundshme. Në konferencën për shtyp, Rama e la litarin jashtë duke nisur të gabojë sërish, kësaj radhe me 18 Qershorin. Ai tregoi dhëmbët e një tigri prej letre, dhe ndonëse foli për dialog e mbylli hapësirën për të dialoguar, duke thënë se atë që bëri me Kavajën nuk do ta bëjë me 18 Qershorin.

Vendimi i djeshëm i Ramës mund të jetë një dështim shumëdimensional. Takticienët e tij mundohen ta justifikojnë se ai lëshoi Kavajën për të mos lëshuar Shqipërinë, kur në fakt as Kavaja dhe as Shqipëria nuk është më në duart e Ramës. Madje, as Rama vetë nuk është sot i lirë prej vetes. Ai është peng i krimit dhe i trembur nga ata që i ka ushqyer gjatë këtyre viteve me pushtet dhe para.

Rama ka gabuar me llogaritë e tij dhe tani është në prag të falimentimit. Faturat i ka adresuar në vende të gabuara që nuk mund t’i sjellin asnjë shpëtim. Ai është investuar prej kohësh në tre drejtime.

Drejtimi i parë; ka qenë korruptimi i një ose disa diplomatëve të huaj, me qëllimin e qartë për t’iu hakërryer opozitës dhe për të manipuluar me informacion vendet e Bashkimit Europian.

Drejtimi i dytë; përkushtimi për të ndikuar vendimmarrjen e vendeve të caktuara përmes lobistëve të paguar me para të pista të drogës, korrupsionit dhe naftës. Nuk mund të thuhet se në këtë pikë nuk ka marrë si shpërblim ndonjë deklaratë, por vlera e saj përpara opinionit të brendshëm ka qenë e njëjtë me atë të një letre higjienike.

Drejtimi i tretë; ka qenë ai i investimit të gjithçkaje tek krimi i organizuar, e konvertuar kjo si në mandate pushteti ashtu edhe në plantacione droge për t’i siguruar Ramës blerjen dhe kërcënimin e votuesve ditën e votimit.

Kavaja dëshmoi se skemat e tij nuk funksionuan dhe se ai ka dështuar me sukses për një arsye shumë të thjeshtë; Rama nuk llogariti në skemën e tij faktorin popull, protestën, qëndresën dhe rezistencën për t’i qëndruar fort atij që Basha prej javësh e ka konsideruar si një komplot ndërkombëtar dhe ekonomik.

Mund të korruptosh diplomatë me rezidenca e para të pista droge, mund të blesh heshtjen e tyre për një fare kohe, mund të arrish me lobuesit e pistë me para të mafies në dyert e ndonjë kancelarie ndërkombëtare të rëndësishme, por ke harruar diçka shumë të thjeshtë, se ata janë kalimtarë dhe të diskredituar në sytë e opinionit publik sa kohë bëjnë avokatin e djallit.

Vjen një moment që kupa mbushet dhe dëshpërimi i një populli, gjysma e të cilit jeton në kufijtë e varfërisë dhe ku çereku i popullsisë ka mbushur formularët për të ikur nga ky vend ngrihet dhe përmbys gjithçka. Përmbys, sepse e ke çuar në kufijtë e ekzistencës dhe ai i errësuar nuk ka asgjë për të humbur.

Ka ende kohë për reflektim dhe një tërheqje të butë, diplomatike dhe politike sa kohë ekziston dialogu në funksion të gjetjes së një zgjidhje afatgjatë për ta garantuar zgjedhjet e lira dhe krijuar një klimë besimi mes pozitës dhe opozitës që kalon nga një qeveri tranzicioni.

Në Kavajë ra miti i kryeministrit dhe veglave të tij se mund të bëhen zgjedhje pa opozitën. Dhe kur ka rënë për zgjedhjet lokale imagjinoni se çfarë mund të ndodhë për zgjedhjet që përcaktojnë fatet e një vendi.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment