Luftëtari humbet në Kukës, por mban vendin e katërt në Superligë

Luftëtari ka humbur në Kukës me ekipin vendas me rezultatin 3-2 ndërkohë qe nuk ka lëvizur nga vendi i katërt i renditjes së tabelës së klasifikimit të Superligës Shqiptare. Ashtu si në të gjitha takimet, ekipi gjirokastrit, ka qenë i mirëorganizuar në të gjitha repartet sidomos në mesfushë dhe në sulm ku ka qenë i barabartë me kundërshtarët. Vendasit kanë kaluar të parët në avantazh me anë të gjirokastritit Ylli Shameti në minutën 4’. Gjirokastritët kundërpërgjigjen menjëherë pas katër minutash me anë të Lamces. Ndërkaq barazimi nuk ka vazhduar gjatë pasi vendasit kanë qenë mjaft kërkues duke arritur të kalojnë në avantazh përmes një autogoli të Boyom në minutën e 21’. Ky gol, duket se ka thyer shpresat e Luftëtarit për të dominuar lojën dhe e baraspeshuar atë që në 45 minutat e para. Kështu në minutën e 29’ sulmuesi kroat Pejic, ka shënuar në portën e gjirokastritëve golin e fundit për kuksianët në këtë takim. Ndërkaq në pjesën e dytë, loja ka folur më shumë për Kukësin sesa për Luftëtarin. Ky i fundit, arriti të ngushtojë diferencën e golave në minutën e 80 të takimit përmes Beqirit.  Luftëtari ndonëse ka humbur, qëndron sërish në vendin e katërt të Superligës me 36 pikë, i ndjekur nga Vllaznia me 35 pikë. Ndërkohë që ky takim, përmbylli fazën e tretë të Superligës. Takimin tjetër Luftëtari, do ta zhvillojë me Partizanin në Gjirokastër.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment