Luftëtari i pafat përballë kampionëve, humbet 0-3 në shtëpi

?

Luftëtari shënon humbjen e tretë radhazi në Superligë duke rrezikuar në këtë mënyrë qëndrimin mes skuadrave më të mira shqiptare. Përballë kampionëve në fuqi, Kukësit të drejtuar nga ish trajneri i gjirokastritëve Mladen Milinkovic, ekipi i Luftëtarit ka humbur me rezultatin e thellë 0-3.

Shpërqëndrimi i vendasve erdhi pas realizimit të golit të parë në pjesën e parë kur falë një mosmarrëveshjeje në mbrojtje dhe fërshëllimës së bilbilit nga tifozët, mbrojtësit gjirokastritë e lanë në avantazh lojën duke kujtuar pozicion jashtë loje.

Mirëpo vëmendja e kuksianëve ka qenë në alert duke shfrytëzuar këtë moment dhe shënuar. Elis Bakaj ka qenë autori i këtij goli në minutën e 20’ si dhe i golit që do të vinte pas 9 minutave. Megjithatë gjirokastritët ndonëse e mbyllën pjesën e parë në dizavantazh me rezultat 0-2, nuk kanë qëndruar indiferentë por rrezikuan disa here përmes Rrocës, Abazajt dhe Bregut.

Në pjesën e dytë të takimit, kuksianët kanë qëndruar pothuajse në hije ndërsa gjirokastritët ishin kërkues për të shënuar tek porta e mbrojtur nga Kolici duke goditur dy herë shtyllën pingule dhe një herë atë transversale.

Loja e Luftëtarit po bëhej gjithnjë e më e rrezikshme për miqtë por edhe këta të fundit përmes kundërsulmeve kanë rrezikuar deri sa në minutën e 75’ përmes Alijev, kanë shënuar golin e tretë dhe të fundit të takimit.

Me fitoren e sotme Kukësi ngjitet në vendin e parë të Superligës ndërsa Luftëtari në shtatë takime, ka grumbulluar 5 pikë ku mban vendin e parafundit të Superligës. Takimin e ardhshëm Luftëtari do t’a ketë në transfertën e vështirë të Skënderbeut.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment