Lulzim Basha dhe beteja kundër establishmentit të korruptuar brenda Partisë Demokratike

0
201

Nga Red Varaku                                                                                                          Të gjitha përpjekjet e establishmentit të vjetër ne Partinë Demokratike për të mundur ose mbajtur nën kontroll Lulzim Bashën kanë deshtuar me sukses të plotë. Popullariteti dhe mbështetja e Lulzim Bashës brenda radhëve të Partisë Demokratike sa vjen edhe bëhet më i pakontestueshëm. Lulzim Basha duam apo nuk duam ,është sot njeriu me përkrahjen më të madhe në Partinë Demokratike dhe është praktikisht i pakonkurueshëm.

Por këtë fakt nuk po e kapërdijnë dot përfaqësuesit e establishmentit të vjetër në Partinë Demokratike, të cilët haptazi po bëjnë një “luftë guerrile ‘ brenda partisë. Ata po minojnë dhe sabotojnë çdo iniciativë të PD duke dëmtuar rëndë kohezionin e brendshëm si dhe imazhin e Partisë Demokratike. Partinë që i dhuroi atyre me zemërgjerësinë më të madhe gjithçka.

Edhe pse mbeten figura me një dimension lokal të papërfillshëm ,ata ia kane arritur, sigurisht me bashkëpunimin dhe ndihmën bujare të Edi Ramës dhe të mediave dhe portaleve të kapura prej tij ,të amplifikojnë idenë që aktualisht PD ndodhet në një “stinë lufte civile” të brendshme. Për këtë z.Rama i ka paguar dhe shpërblyer në të gjitha format ,disa me tendera, disa me vende pune e të tjerë me para “kesh”.

Por çfarë duhet të bëjë lidershipi i PD për t’i dhënë fund kësaj problematike që e ka zanafillën mbase edhe më përpara se z. Basha të zgjidhej kryetar i saj? Si duhet të çmontohet ky establishment i korruptuar që i ka shpallur “luftë” PD?

Ka vetëm një mënyrë ; Lulzim Basha duhet të shkatërrojë fuqinë e këtij establishmenti. Ai duhet të largojë nga PD të gjithë ata për të cilët ka mjaftueshëm të dhëna që i kanë vënë “shkopinj në rrota “ aksionit zyrtar të PD ,tashmë te votuar masivisht edhe nga baza e PD. Sepse fuqia dhe forca e këtij establishmenti buron tek niveli i përfaqësimit që ata aktualisht kanë në PD.Ata janë kudo dhe e kanë “kapur” PD në mënyrë kapilare deri edhe në nivel seksionesh, megjithëse nuk përfaqësojnë më askënd. Ata nuk përfaqësojnë vullnetin e bazës, por vullnetin e z. Rama ,përderisa argumentet që ata përdorin janë të njëjtat me ato të z.Rama . Nëpërmjet kapjes së këtyre hallkave, ata arritën të shkaktonin një rredhje prej 200 000 votash në zgjedhjet politike të 2017. Por cila është rruga që duhet të ndiqet për të shkatërruar fuqinë destruktive të këtij establishmenti?

Mënyra e vetme është shkatërrimi i tij nëpërmjet një procesi vetingu të brendshëm. PD është aktualisht në një stinë zgjedhore dhe është e qartë që baza e partisë do të bëjë propozimet përkatëse për kandidatë në të gjitha nivelet e përfaqësimit. Këta kandidatë duhet t’i nënshtrohen një procesi strikt vetingu në kryesinë e PD ,në mënyrë që përfaqësuesve të tij t’i hiqet e drejta për të konkuruar për pozicione drejtuese nëpër struktura.

Është pikërisht momenti i përshtatshëm që Lulzim Basha t’i japë fund “luftës civile” në PD, sepse dëmi që po i sjell ky establishment, është shumë herë më i madh se sulmi që po i vjen nga hanxharët dhe represioni i qeverisë, sepse sa herë që situata politike arrin një pikë kulmore ,janë pikërisht këta ,që me skuthllëkun më të madh thirren nën armë nga Edi Rama , mbushin panelet dhe ekranet, për të shuar çdo “zjarr” opozitar duke sulmuar pabesisht liderin e saj z. Basha .

Ata që nuk mbështesin Lulzim Bashën sot si kryetar të Partisë Demokratike thjesht nuk janë me Partinë Demokratike. Kaq e thjeshtë është.Pas ftesës për bashkim nga z.Basha ,për ta nuk ka më asnjë justifikim, ose duhet të bashkohen me qëndrimin zyrtar të PD ose duhet të largohen, nëse nuk largohen vetë , ata duhet të përjashtohen. Neutralizimi i këtij establishmenti do të sjellë edhe hapjen e shumëpritur në PD duke e shpëtuar atë nga kalcifikimi.

Cili është argumenti për këtë: ky establishment po punon kundër strategjisë politike të PD ,duke e sabotuar me vetëdije të hapur atë. Është detyrë e lidershipit të PD dhe antarëve të saj të largojnë ata që shkojnë kundër linjës zyrtare të Partisë. Për të gjithë ata që mendojnë se kjo gjë është paksa e ububushme le të sjellin pak në kujtesë çfarë ndodhi me Lëvizjen e Mendimit Ndryshe në PS, ku Arben Malaj , Kastriot Islami dhe së fundi edhe Ben Blushi etj , praktikisht njerëzit më të rëndësishëm të PS asokohe, pra senatorët ” më të rëndësishëm të Partisë Socialiste” ,me të gjitha objeksionet që kishin kundër lidershipit të PS, z.Rama , një njeri me pak kontribute në krahasim me kontributet e tyre, u linçuan publikisht dhe u detyruan të japin dorëheqjen dhe të largohen nga PS, sigurisht si “tradhëtarë.”

Është momenti që nëpërmjet zgjedhjeve që po zhvillohen aktualisht në të gjitha degët ,të zgjidhen në krye te strukturave njerëz kompetentë dhe me integritet, që mbështesin vizionin e PD, dhe të largojnë nga aty, ata që flasin me argumentet dhe me zërin e Ramës. Është e vërtetë që sot disa prej tyre janë asete të rëndësishme të PD, por nuk duhet të harrojmë kurrsesi që ishte PD që i dha vlerë dhe i ktheu ata në asete , për këtë ata duhet t’i jenë shumë mirënjohës përjetë asaj, por jo të flirtojnë me z.Rama për të rrëzuar PD, kjo është e patolerueshme madje e ndëshkueshme .

Pra,zgjedhjet në PD duhet të kenë si qëllim kryesor pastrimin e Partisë nga këta të korruptuar ,që për hir të humbjes së “karriges dhe privilegjeve” mund të bëjnë gjithçka. Për këtë z. Basha dhe kryesia e partisë duhet të ndjekë një strategji dhe taktikë agresive dhe aspak tolerante ,dhëmb për dhëmb. Lufta guerrile që ky establishment i ka shpallur lidershipit të PD edhe në nivel seksioni duhet te marre fund njëherë e përgjithmonë. Ai duhet t’i bëjë thirrje që të dorëhiqen të gjithë atyre që kanë rezerva nē lidhje me modelin dhe vizionin politik zyrtar të PD.

Partia Demokratike është parti e madhe me njerëz me zemër të madhe. Por askënd të mos e gënjejë mendja që mund t’i bëjë karshillēk asaj. Ajo nuk ka nevojë për askënd ,ndërsa të gjithë kemi nevojë për të. Ajo duhet të jetë e vendosur për të larguar ‘Brutët’ e saj , sepse përndryshe do të ketë fatin e “Jul Çezarit” , të cilin e vranë pikërisht senatorët e tij.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here