Media prestigjoze gjermane: Hapja e negociatave të Shqipërisë në këmbim të marrjes së refugjatëve, Rama mund të pranojë

Në pasqyrën e mediave gjermane, Shqipëria shihet si një vend i mundshëm për të zgjidhur konfliktet e brendshme politike në Gjermani lidhur me çështjen e azilkërkuesve.

Pas një analize të “Deutsche Welle”, të njëjtën linje arsyetimi i mëshon sot “Focus.de”, me artikullin e publikuar sot, me titull “Pse Shqipëria mund të zgjidhë konfliktin e azilit”.

Ngritja e një kapi për pritjen e refugjatëve në Shqipëri, mund të ndihmojë në mbajtjen e pushtetit të kancelares gjermane Angela Merkel dhe të qetësojë ministrin e brendshëm Horst Seehofer. Me këtë lëvizje, Merkel do të plotësonte kërkesën e ministrit të brendshëm që kërkesat për azil të mund të parashtroheshin jashtë BE, por të mbeteshin nën mbikëqyrjen e BE. Kështu, partia e tij konservatore mund të përfitojë nga një marrëveshje e tillë në zgjedhjet e ardhshme, ku po përpiqet të shmangë alternativën ekstremiste të Gjermanisë (AfD). Dhe qeveria e koalicionit do të rimarrë stabilitetin.

Arsyet pse Shqipëria është e përshtatshme për pritjen e azilkërkuesve

Më tej, në artikull shpjegohen disa arsye pse Shqipëria mund të jetë një vend i përshtatshëm për ndërtimin e kampeve të refugjatëve:

Vendndodhja – Vendi i Ballkanit Perëndimor shtrihet në Mesdhe në buzë të rrugës “klasike” të Ballkanit (rruga që ndiqnin refugjatët nga Lindja për në BE), e cila tani konsiderohet e mbyllur. Për shkak të vendndodhjes së saj me dalje në det, Shqipëria do të ishte e përshtatshme si një pikë kontakti për ‘njerëzit e anijes’.

Stabiliteti – Në dallim nga vendet e Afrikës së Veriut, si Libia, ekzistojnë struktura të qëndrueshme demokratike në Ballkanin Perëndimor. Ministri i Jashtëm Federal Heiko Maas (SPD) vlerësoi kohët e fundit reformat gjyqësore në Shqipëri.

Negociatat e pranimit si një levë e mundshme për BE – Megjithëse Shqipëria nuk është pjesë e Bashkimit Evropian, BE ende ka leva politike: Komisioni i BE, kohët e fundit ka rekomanduar që negociatat për hapjen e bisedimeve për integrimin në BE të hapen me Shqipërinë dhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor. Kjo i jep Brukselit një mundësi për të ushtruar presion politik për të drejtuar vendosjen e mundshme të qendrave të azilit për përmbushjen e standardeve humanitare.

Rregullat e azilit të BE-së nuk zbatohen për Shqipërinë – Një avantazh tjetër nga pikëpamja e BE-së: Meqenëse Shqipëria aktualisht nuk është anëtare e BE-së, nuk zbatohen rregulla të tilla si marrëveshja e Shengenit ose sistemi i Dublinit. Kjo do të thotë, për shembull, se kontrollet kufitare në Shqipëri janë mjaft normale. Rregullat e Dublinit nuk funksionojnë atje: nëse një azilkërkues është regjistruar në Shqipëri, nuk ndikon që një vend i BE-së mund të jetë përgjegjës për procedurën e azilit.

Ekziston tashmë bashkëpunimi për emigracionin – Shqipëria po punon tashmë me BE në disa nivele në fushën e migracionit: vendi kohët e fundit ka nënshkruar një marrëveshje me agjencinë e menaxhimit të kufirit të BE-së Frontex për të mbrojtur më mirë kufijtë e jashtëm shqiptarë. Policia Federale është duke punuar edhe në nivel lokal me Shqipërinë. Ka gjithashtu bisedime dypalëshe me Austrinë, sepse këtë vit, më shumë emigrantë po përpiqeshin të udhëtonin në Europën Perëndimore nëpërmjet Shqipërisë. Qeveria shqiptare duket se ka frikë të bëhet rrugë e re e tranzit kalimi për emigrantët dhe se refugjatët mund të vazhdojnë të rriten. Kjo tregon dy gjëra: Së pari, vetë Shqipëria ka një interes për të kontrolluar imigracionin. Së dyti, qeveria tashmë ka dëshmuar se është e gatshme të punojë me BE.

Kushtet humane për emigrantët – Agjencia e OKB-së për Refugjatët ka konfirmuar se emigrantët janë trajtuar mirë në Shqipëri deri tani. Kjo sugjeron që vendi gjithashtu do të jetë i gatshëm të garantojë standardet humanitare në qendrat e mundshme të azilit.

Pse Rama mund të thotë po ndërtimit të kampeve të refugjatëve

Më tej në artikull, “Focus” raporton se qeveria shqiptare ende nuk e ka premtuar një gjë te tille dhe se popullsia në Shqipëri është skeptike. Më tej prek akuzat dhe kundër-akuzat politike lidhur me një kamp të mundshëm refugjatësh në Shqipëri, apo pritjen e rreth 600.000 ish anëtarë të ISIS.

Në fund, “Focus.de”, raporton se kërkesat e Brukselit mund të sjellin që Kryeministri Rama të pranojë ngritjen e qendrave të azilit në Shqipëri.Shkrimi ne median gjermane

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment