Mes emigrimit dhe varfërisë , sfidat për mbijetesë e banorëve të Mashkullorës

Rreth 7 kilometra në veri të Gjirokastrës ndodhet fshati Mashkullor. Ky fshat ka rreth 100 shtëpi .

Banorët e tij për vite me radhë janë shquar për mbajtjen e kafshëve të imta , mbarështimin e tyre por edhe për bujqësi . Dy nga sektorët ku janë mbështetur për të mbajtur frymën gjallë.
Tek sa ecim për në qendrën e fshatit aty ku ndodhet monumenti i trimave , të çetës së Çerçiz Topullit , i vetmi tingull që thyen heshtjen që ka pllakosur fshatin është këmbora e kafshëve që po shkojnë për të kullotur.
Fshatrat e Shqipërisë gjithnjë e më shumë po zbrazen , ata që nuk i largohen dot fshatit janë përgjithësisht të moshuarit.
Në rrugët diku të shtruara e diku të amortizuara mund të shikosh tek -tuk edhe ndonjë makinë që po niset drejt qytetit.
Në sheshin e fshatit ndodhet edhe ish shkolla e cila tashmë është kthyer në depo , një godinë e braktisur e cila nuk të jep idenë e një institucioni arsimor nëse nuk pyet vendasit.


Në shtëpitë dykatëshe që ndodhen afër qendrës gjejmë një nga banoret e moshuara e cila rrëfen për jugunews.net jetesën në fshat.
“Kemi vite në fshat, jemi mësuar me jetesën këtu por vitet e fundit është bërë edhe më keq . Punë nuk ka , shërbime nuk ka, afër me qytetin jemi por sërish kjo gjendje . Rrugët deri diku me asfalt janë pastaj gropa, sidomos në kohë shiu bëhet më keq .Por ne jemi të mbyllur nuk para dalim . Mbeturinat pastaj janë edhe më shqetësuese se nuk i pastron njeri.
Periudhën e koronës e kemi kaluar keq dhe po e kalojmë , nuk na trokiti njeri në derë të pyesin si jeni a keni për të ngrënë. Vetë me forcat tona, fëmijët na kanë ikur nuk e duan fshatin, me të drejtë këtu nuk ja dilet , janë bërë keq qytetet jo më fshatrat. Punë duam vetëm punë dhe unë në këtë moshë që jam po të më jepej mundësia shkoja dhe punoja “
-përfundon ajo.
Ngjitur me të ndodhet shtëpia e një tjetër banoreje të këtij fshatit e cila thotë se edhe për të gjendja është e vështirë .
“Shërbimet mungojnë, me ujin kemi pas probleme në verë, me mbeturinat që nuk kemi kosha nuk i pastron njeri , me rrugën këtej në këtë zonë nuk vjen makina . Megjithëse është kohë e tillë që nuk vjen njeri për shkak të virusit. Jetesa në fshat është siç e shikoni , me çfarë të mundemi ja dalim . Fëmija ka iku në emigrim secili shikon jetën e vetë nuk u biem në qafë. Në fshat sa mund të nxjerrësh sa për të shtyrë edhe një ditë “-përfundon një tjetër banore.


Jetesa në fshatra është edhe më e vështirë për shkak të mundësive të pakta që të ofron vetë vendi . Ndërsa pushteti vendor dhe qëndror duhet ti kushtojë vëmendje dhe të investojë për ti mos lënë këto të fundit të shkretuara .

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment