Mesazhi mafioz që fshihet pas sekuestrimit te pasurise se Ylli Ndroqit

0
135

Nga Red Varaku


SPAK, tashmë i provuar katërcipërisht si kamzhik në duart e kryeministrit kundër popullit shqiptar, u kujdes që njoftimin për shoqërimin e Ylli Ndroqit ta dominonte shprehja “sekuestrohet e gjithë pasuria e Ylli Ndroqit”.
Madje në shumë media nuk përtuan të publikonin listën e pasurive të Ylli Ndroqit, ku përfshihej gjithçka nga dy televizionet e deri tek gjërat më utilitare në pronësi të tij.
Shoqëruar kjo me imazhin e forcave policore me autoblindë dhe të armatosura gjer në dhëmbë, që pushtojnë dhunshëm një perandori mediatike të shndërruar në “kala” të fjalës së lirë, i gjithë “SPAKtakli” dukej se përvijohej vetëm rreth ngulitjes së një mesazhi në ndërgjegjen tonë kolektive: ndëshkim egzemplar për cilindo që guxon të sfidojë pushtetin.
Pra, me fjalë të thjeshta , kushdo që mendon ose ka menduar se mund t’i dalë kundër qeverisë tani që ajo është në ditët e saj të fundit, duhet ta mendojë dy herë.
Kjo sepse mund të përfundojë, jo vetëm me pranga në duar, por gjasat janë që të flaket në mes të katër rrugëve, pa asnjë qindarkë në xhep qoftë për vete, qoftë për familjen.
Një mekanizëm identik ky me presionin për internim të familjes që bënte dikur regjimi komunist.
Dukshëm kjo një strategji e qartë presioni ndaj kundërshtarëve, një devijim i rrezikshëm, tipik për të gjitha autokracitë, i cili synon të paralizojë dhe asgjësojë dhunshëm çdo reagim kundër pushtetit.
Kjo është e gjitha!
Çdo përpjekje për ta devijuar debatin tek e kaluara e Ylli Ndroqit, tashmë të sqaruar dhe risqaruar, është një përpjekje e ulët, që kërkon të justifikojë një agresion kaq të hapur shtetëror mbi një individ, duke spekuluar me të kaluarën e tij.
Madje edhe sulmi ndaj Sonila Meços është një sulm i ndyrë dhe i neveritshëm, por kurrsesi nuk bëhet pa qëllim, aq më tepër kur udhëhiqet nga dy qen sulmi të këtij regjimi.
Me sulmin ndaj Sonila Meços tentohet
të devijohet pikërisht thelbi i këtij sulmi, që është agresioni i qartë shtetëror mbi një shtetas shqiptar, pronar i një medie që po sfidon hapur pushtetin.
Me sa duket kryeministri nuk kërkon thjesht të ndëshkojë Ylli Ndroqin, por kërkon t’i dërgojë një mesazh të qartë dhe një paralajmërim të gjithë ish-bashkëpunëtorëve dhe kundërshtarëve të tij, për fundin e hidhur që ata do të kenë në rast se vendosin t’i kthejnë shpinën, apo më keq në rast se tentojnë ta sfidojnë.
Ky mesazh i ashpër dhune dhe ndëshkimi duhej dhënë me çdo kusht, aq më tepër tani, pikërisht tetë muaj para zgjedhjeve parlamentare, kur kanë filluar natyrshëm rikonfigurimet e reja të aleancave kundër pushtetit,
Në këtë kuptim sulmi ndaj Ylli Ndroqit është më shumë se një sulm ndaj fjalës së lirë. Ai dëshmon degradimin e rëndë të sëmundjes për pushtet të këtij kryeministri, që mendon se mund ta mbajë kokëulur dhe të nënshtruar një popull të tërë, me presione mafioze dhe “SPAK” në dorë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here