Mësimi online, PD : Duhet durim, pas 25 prillit bëjmë ndryshimin

Mësimi online rezultoi joefektiv për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme dhe kjo pohohet nga vetë nxënësit.
Edhe prindërit janë të pakënaqur me mënyrën e ofruar nga qeveria për mësim online kur buxheti i tyre familjar nuk u mundëson 3 fëmijëve të tyre të cilët vijojnë mësimin, për t’i pajisur me telefonë, tabletë ose internet pa ndërprerje.
Albana Vokshi dhe Ndriçim Mehmeti vizituan një familje, 3 nga 4 fëmijët e së cilës janë në shkollë fillore e të mesme dhe mësojnë në mënyrë të alternuar, ne klasë dhe online.
Nxënës ekselentë të cilët shprehen të pakënaqur për mënyren se si po u ofrohet mësimi, me orë të shkurtuara dhe me platforma online joefektive.
Vajza më e madhe e familjes 6 anëtarëshe është maturante. Ajo shprehet e shqetësuar se si do të mbyllet cikli i saj i studimeve të shkollës së mesme kur mësuesit ofrojnë pak kohë për mësimdhënie dhe në fund kërkohet shumë nga nxënësi.
“Është pak e vështirë sepse orët janë shumë të shkurtuara, ne jemi maturantë, në janar teknikisht duhet të vazhdojmë me konsultimet, por kur e pyeta mësuesen se çfarë do të bëjmë, tha, është shumë rrëmujë kjo pjesë sepse as vetë nuk e dimë se çfarë do të bëjmë. Sepse jemi të ndarë në dy grupe, si do të bëhen konsultimet, orari i shkurtuar dhe nuk dihet asgjë, gjë tjetër Akademia dhe gjë tjetër ajo që merr në shkollë. Orët janë shumë të shkurtuara si në matematikë, marrim pak, pyetemi shumë dhe puna na bie ne si maturantë. Ose plotësisht fizikisht ose plotësisht online”, tha ajo.
Vëllai i saj i cili është në klasë të tetë thotë se në klasë e tij, nga 13 nxënës vetëm gjysma e tyre marrin pjesë në platformë.
“Jemi të ndarë në dy grupe, njëri grup ka 13 veta, zakonisht vijnë 7-8. Online janë më pak. Konfirmojnë pjesëmarrjen, ok, por fizikisht nuk kanë qenë fare. Kurse tek gjuha angleze vetëm 2 veta. Unë edhe një shoqe. Gjejnë justifikime se nuk hapet ose nuk e shkarkojmë dot”, tha ai.
Prindërit e fëmijëve kanë sakrifikuar për t’i rritur e shkolluar. Familja e cila banon në apartament me qera, mbahet nga të ardhurat e babait, emigrant në Norvergji.
E ëma pavarësisht shkollimit të lartë në nivelin master nuk ka rritur të gjejë punë, pasi i kërkonin para’.
Albana Vokshi vuri në dukje se shteti duhet të jetë prezent tek kjo familje me 4 femijë dhe 3 prej tyre janë ekselentë në shkollë.
“Edhe pak muaj do të bëjmë durim me shpresën që pas 25 prillit gjërat do të ndryshojnë. E gjithë shoqëria po vuan sepse kjo shkon zinxhir. Po mundohemi që fokusin ta vëmë tek arsimi, sepse nëse nuk arsimohen atëherë ke impakt negativ në ekonomi, shoqëri por unë shpresoj që fëmijët tuaj të mos ikin por të rrinë këtu për të kontribuar për një të ardhme më të mirë për të gjithë ne, sepse stafeta i takon atyre. Ju duhet të kishit një ose dy tableta të dhuruara nga shteti që fëmijëve t’u mundësohej mësimi online. Duhej të kishit internet falas nga qeveria siç e kanë bërë vendet e tjera”, tha Vokshi.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment