Meta kalon buxhetin faktik 2020: Shqipëria mbështetjen më të ulët për efektet negative të pandemisë

Presidenti Ilir Meta ka vlerësuar ta lërë në heshtje ligjin nr. 105/2021 “Për miratimin e buxhetit faktik të vitit 2020”, duke kërkuar vëmendjen e Këshillit të Ministrave, Kuvendit të Shqipërisë dhe gjithë institucioneve përgjegjëse për të marrë masa, për të mos lejuar përsëritjen e treguesve të tillë në nivel financiar për vendin.

Megjithatë Meta ka shprehur disa shqetësime të tij lidhur me buxhetin 2020 që të mos përsëriten sërish.

Ai vëren se buxheti i vitit 2020 u ndryshua me 4 akte normative të Këshillit të Ministrave, të cilat kishin qëllim zbutjen e efekteve ekonomike e sociale të pandemisë COVID-19, por sërish sipas tij Shqipëria ka dhënë mbështetjen fiskale më të ulët për të adresuar efektet negative të pandemisë.

Presidenti thotë në arsyetimin e tij se në realitet ndryshimet në aktet normative në shumicën e rasteve nuk adresuan problemet për lehtësimin e masave ndaj pandemisë, por adresuan uljen e parashikimit të të ardhurave dhe rritjen e investimeve kryesisht për rindërtimi.

Ligji nr. 105/2021 miraton buxhetin faktik të vitin 2020, dhe rrjedhimisht kthimi i këtij ligji për rishqyrtim në Kuvend, nuk do të përbënte ndonjë ndryshim thelbësor. Për këtë arsye, ai ka vlerësuar ta lërë në heshtje këtë ligj, por duke kërkuar vëmendjen e Këshillit të Ministrave, Kuvendit të Shqipërisë dhe gjithë institucioneve përgjegjëse për të marrë masa, për të mos lejuar përsëritjen e treguesve të tillë në nivel financiar për vendin.

Pavarësisht ndryshimeve me aktet normative, mbështetja me qëllim zbutjen e efekteve ekonomike e sociale të pandemisë COVID -19, mbështetja buxhetore e drejtpërdrejtë e Shqipërisë e alokuar, ishte më e ulta në nivel rajonal dhe global.

Sipas raportit të FMN mbështetja direkte buxhetore për pandeminë në Shqipëri është rreth 19 miliard lekë ose 1.2% e PBB (përfshi dhe shumën 2 miliard lekë të Ministrisë së Mbrojtjes e cila është anuluar). Në fakt analiza më e detajuar tregon se mbështetja fiskale për të adresuar efektet negative të pandemisë është me e ulët në rreth 16.6 miliard lekë ose 1.05% e PBB.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment