“Mini-Schengeni”, 3 hapa mbrapa për bashkëpunimin rajonal

0
184

Nga Stiljano Rushaj

Takimi i kësaj fundjave me përfaqësuesit më të lartë të disa prej shteteve të Ballkanit nën të ashtuquajturën mini-schengen ballkanik, sërisht nuk prodhoi asgjë konkrete për qytetarët, por vetëm disa foto me buzëqeshje të ngrira. Në mënyrë të pakuptimtë, ai nisi pasditen e djeshme në një tryezë tripalëshe, Rama-Zaev-Vuçiç dhe përfundoi sot me një panel katërpalësh. Dukshëm presidenti malazez Gjukanoviç ishte por dhe nuk ishte pasi në qëndrimet e tij realiste pati rezerva për rezultatet e kësaj nisme, të cilat nuk mund të zëvendësojnë proçesin e antarësimit në BE.

Në këtë kontekst,  nisma në vetvete po dëshmon se është pa formë e papërmbajtje, e as më pak nuk mund të konsiderohet vazhdimësi e çfarëdo lloji proçesi të ngjashëm ndër-shtetëror. Ajo kurrsesi nuk mund të jetë as një Vishegrad 4 (V4), e as një pasardhëse e Këshillit për Bashkëpunim Rajonal (KBR).  

Së pari nisma është e papërfaqësueshme. Vetëm 3 nga 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor (BP), kanë qënë të pranishme në dy takimet e mëparshme atë të Novi Sad dhe Ohër. Sikundër ky në Tiranë, takimet kanë qënë thellësisht kortezie, pa patur asnjë axhendë të qartë e produktive, e as më pak një rezultat të matshëm hap-pas-hapi në përfundim të çdo takimi. Kjo ka bërë që shpeshtësia e takimeve për një periudhë thuajse 2 mujore po i shërben thellësisht protagonistëve politikë të shteteve pjesëmarrëse, në imazhin e tyre ndaj partnerëve Europian.

Së dyti, nisma papërmbatje po dëmton seriozisht bashkëpunimin rajonal 20 vjeçar. Këshilli Bashkëpunimit Rajonal, me fillesat e tij që prej vitit të largët 1996 në Sofje të Bullgarisë është mediumi ndër-shtetëror më i vjetër në Ballkan. Fqinjësia e mirë, zgjidhja e mosmarrëveshjeve nëpërmjet parimit të reciprocitetit dhe mjaft rezultate të prekshme në fushën e energjisë, lëvizjes së lirë pa viza e me karta identiteti e deri në lehtësimin e proçedurave doganore midis vendeve janë disa prej arritjeve tashmë të ndërmarra pikërisht nga kjo kulture bashkëpunimi dhe mediumesh të përbashkëta. Po aq të frytshme kanë rezultuar edhe bashkëpunimet midis aktorësh jo politikë si rinia, sipërmarrjet, dhe shoqëria civile nëpërmjet mbështetjes së jashtme, kryesisht BE, me Fondin Europian të Ballkanit, Bashkëpunimi Rinor Rajonal, etj.

Së treti nisma po na mban akoma më larg BE-së. Të gjithë i kujtojmë argumentat e protagonistëve politikë, e konkretisht të kryeministrit Rama pas mos-hapjes së negociatave për antarësim në BE, se nëse “Jo”-ja e BE do të ishte më e gjatë se ç’pritej atëhere mini-schengeni Ballkanik do ta ndryshonte drejtimin drejt Lindjes e konkretisht projekteve ruse e kineze të bashkëpunimit ndër-shtetëror. Ndërkohë edhe në takimin e Tiranës kishte një tendencë në mënyrë të tërthortë shantazhuese ndaj sinjaleve të BE për një “shkop” të ri kushtëzues, së paku për Shqipërinë në vitin 2020. Kjo tregon qartë se nisma jo vetëm që nuk po lehtëson proçesin e integrimit në BE të rajonit, përkundrazi është duke u përdorur për protagonizmin e jashtëm të liderave politikë si Rama.

Ndaj për të kuptuar se çfarë duan në të vërtetë qytetarët e vendeve të Ballkanit, institucionet Europiane me mandat të ri politik që prej këtij fundviti, do të duhen të ndryshojnë qasjen e tyre ndaj nesh: “jo stabilokraci përpara standarteve demokratike”. Ardhmëri e përbashkët, zhvillim ekonomik 4.0, dhe institucione të forta demokratike të cilat të mundësojnë konsolidimin e modelit të demokracive perëndimiore janë modeli krejtësisht i kundërt nga ai se çfarë ofrohet aktualisht nga qeverisje si ajo Edi Ramës.  

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here