Miratohet Akti Normativ/ Jetën e Klodian Rashës qeveria do e kompensojë me pension mujor

0
173

Vrasja e 25-vjeçarit Klodian Rasha nga efektivi i forcave të policisë “Shqiponja” ka bërë që qeveria të ndryshojë aktin nomrativ për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë, e që lidhet me vrasjet që kryhen gjatë ushtrimit të detyrës nga punonjësit e Policisë së Shtetit. Më këtë akt të ri normativ, familja e cila ka humbur aksidentalisht pjesëtarë të saj, si pasojë e veprimeve të kryera gjatë ushtrimit të detyrës nga punonjës të organeve ligjzbatuese, përfiton trajtim të veçantë financiar deri në masën e tetëfishit të pensionit social. Menjëherë pas publikimit në fletoren zyrtare ky akt do të hyjë në fuqi, dhe do të mund të përdoret në rast se precedentë të tjerë tragjik do të përsëriten.
“Vdekja aksidentale e të riut por edhe raste të tjera të ngjashme që mund të ndodhin gjatë ushtrimit të detyrës nga punonjës së organeve ligjzbatuese, përveç dhimbjes për humbjen e personit të familjes, krijojnë edhe vështirësi të natyrës ekonomike për familjen e tij. Duke marrë në konsideratë moshën aktive për punë, dhe po ashtu faktin se mund të jenë kontribuues në të ardhura në familje shikojmë të nevojshme dhënien e një ndihme financiare familjes përkatëse”, thuhet në relacionin e qeverisë, edhe pse nuk përmendet emri konkret i të ndjerit Rasha.
Më tej theksohet se humbja e jetës aksidentalisht, nga një veprim i punonjësit gjatë ushtrimit të detyrës, përveç të tjerave vë në vështirësi financiare familjen dhe e çon atë në varfëri sidomos në rastet kur pjesëtarët e familjes janë në moshë të thyer apo në moshë minorene.
“Familja, e cila ka humbur aksidentalisht pjesëtarë të saj, si pasojë e veprimeve të kryera gjatë ushtrimit të detyrës nga punonjës të organeve ligjzbatuese, përfiton trajtim të veçantë financiar deri në masën e tetëfishit të pensionit social. Trajtimi i veçantë financiar dhe anëtari që përfiton në emër të familjes, përcaktohet me vendim individual të Këshillit të Ministrave dhe financohet nga buxheti i shtetit”, thuhet në amendamentin e paraqitur nga Qeveria për miratim nëpërmjet këtij akti normativ.
Sipas përcaktimit të mësipërm, familja e të ndjerit përfiton trajtim financiar në masën e tetëfishit të pensionit social (afërsisht 61 000 lekë në muaj) dhe është mbi nivelin e pagës mesatare duke kompensuar mungesën e të ardhurave për familjen nga humbja e jetës. Vendimi i qeverisë ka shkaktuar përplasje të forta dhe kjo për faktin se vrasja Rashës u cilësua si aksidentale në vendimin për dhënien e masës së pagesës. Por në këtë relacion theksohet se termi aksidental nuk i pengon organet e drejtësisë të kryejnë hetimin nëse vepra penale është kryer me dashje ose jo.
“Termi “aksident” që përdoret në legjislacionin e sigurimeve të kompanive private u përfshi pikërisht në legjislacionin e sigurimeve shoqërore që kryhet nga shteti, si një terminologji e përdorur gjerësisht në këtë fushë. Pra, humbja e jetës konsiderohet aksidentale por jo veprimi i punonjësit të organeve ligjzbatuese, pasi kjo i takon organeve të drejtësisë që të përcaktojnë nëse vepra penale është kryer me dashje ose pa dashje, nga pakujdesia, me paramendim ose jo etj”, thuhet në këtë relacion.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here