Nderi etnik !

0
173

Nga Roland Bejko

Në rrjetet sociale dhe media qarkullon një foto ku duken ca vajza bukuroshe kosovare që pozojnë me disa nga futbollistët e ekipit kombëtar të Anglisë pasi u kanë uruar mirëseardhjen në Prishtinë me tufa lulesh.

Në fakt ky është një fenomen që ndodh rëndom në Kosovë dhe në Shqipëri veçanërisht kur bëhet fjalë për pritje delegacionesh të huaja, sportistë si në rastin konkret, politikanë të lartë apo biznesmanë VIP-a.

Zgjidhen enkas femra të bukura, për t’iu vënë në dispozicin kokoroshëve të huaj. Kjo është pjesa që duket, sepse ka edhe më rëndë se kaq. Në botën e politikanëve të lartë apo të bizneseve të rëndësishme që për të marrë një benefit politik, apo një kontratë shumë milionëshe biznesi atyre u vendosen në dispozicion femra të zgjedhura dhe të trajnuara që bëjnë rolin e eskortës për kodoshët në fjalë.
Prandaj me të drejtë janë të shumtë ata shqiptarë që janë ndier të fyer kur shikojnë këto imazhe. Nuk besoj që kjo ka lidhje me ngjyrën e futbollistëve në fjalë, por me shkallën e lartë të inferioritetit që manifestohet nga zyrtarët e pakulturuar shqiptarë ndaj të huajve.

Këtë fenomen Maks Weber e ka quajtur “Nderi etnik” i cili sipas tij është një “Nder” i veçantë i masave, pasi ai është nderi i kujtdo që i përket komunitetit të përbashkët të origjinës, e menduar në mënyrë subjektive”.

Padyshim, me vetëdije apo e zgjedhur pa u thelluar në sensibilitetet publike të shfaqjeve të tilla qesharake nga zyrtarët shqiptarë, ky fenomen është një tip prostitucioni që ndodh në shoqëritë tribale, ose në familjet klanore…. aty ku “femrat,-thotë Weber, konsiderohen si pasuri ekonomike e komunitetit shtëpiak në të cilin kanë lindur… Kryetari mund t’ia ofrojë atë miqve, ose mund të lejojë lidhje seksuale të përkohshme ose të përhershme në shkëmbim të mallrave ose të shërbimeve…”

Edhe në Shqipëri sa herë që bëhen konferenca të rendësishme të niveleve të larta, ministritë aktivizojnë femrat e institucionit për pritjen që në aeroport të personaliteteve të huaja dhe shoqërimin e tyre gjatë ditëve të qëndrimit në konferenca, vizitave në muzeume, dhe deri në përcjelljen e tyre sërish në aeroport. Në një rast të tillë një punonjëse e re simpatike më ka treguar se një zyrtar i lartë nga një vend perëndimor, u fiksua aq keq pas saj saqë jo vetëm që nuk ishte i përqëndruar në konferencën ndërministrore që zhvillohej në Tiranë, por kur e kishte përcjellë deri në aeroport kishte tentuar ti jepte një unazë të shtrenjtë me diamante duke i kërkuar që të bëhej e dashura e tij edhe pse ajo ia kish bërë të qartë se ishte në një lidhje dashurie këtu.Sipas saj zyrtari i huaj ishte gati të ndahej nga gruaja dhe fëmijët e tij.

Kohët e fundit në fakt, më së shumti këto punë i kryejnë modelet e agjensive që merren me organizimin e eventeve…

Në të shkuarën te shqiptarët me sa dimë nuk ka qenë në traditën e tyre që mikut apo të huajt bujtës mirëseardhjen t’ia bëjë gruaja/femra e shtëpisë, por burri, madie më i moshuari.

Edhe në historinë e organizimit të shoqërisë fisnore a klanore nuk ka pas qenë traditë që bujtësit ti ofrohej femra e shtëpisë për të kaluar natën siç ka ndodhur në oganizime klanore të vendeve të tjera psh si në krahina të veçanta të Kinës sipas rrëfimeve të antropologut Levi Shtaraus në një fis diku në një provincë, ku atij si bujtës i kishin ofruar ta kalonte natën nën shoqërinë e njërës prej vajzave të familjes. Refuzimi konsuderohej fyerje për fisin.

Në shoqëritë tribale femra ka qenë ofruar rëndom si dhuratë.
Në kohrat paraprofetike femra të bukura, të zgjedhura, të virgjëra, pa mëkate, ofroheshin për flijim për të zbutur “inatet e zotave”. Në kohët e vona femrat ofroheshin për të huajin fitimtar të luftës, për komandantin pushtues etj.
Kurse tani, në atë që ne e quajmë “shoqëri moderne” asgjë e madhe nuk ka ndryshuar në raport me sjelljen ndaj femrës. Ende më “superiorit” më të “fortit”, më të “pushtetshmit”, si trofe, si mall joshës, si objekt seksual për ta kënaqur i ofrohet shoqëria e femrës, hiret dhe seksualiteti i saj.

Në fakt, ky veprim është dëshmia më e qartë se në thelb, në mënyrën si i ndërtojmë raportet me më të fortët, me më të pushtetshmit, vazhdojmë të jemi ende shoqëri tribale dhe e pazhvilluar. Vetquhemi modernë se vishemi bukur, dhe në duar kemi mjete të teknologjisë së fundit, por në thelb vazhdojmë të jemi po aq tribalë dhe të paditur sa në gjenezë.

Qasje të tilla vetëm sa na bëjnë më qesharakë, inferiorë dhe të neveritshëm në sytë e “bujtësit”, jo më mikrpritës. Ata vet nuk ta bëjnë “një nder” të tillë kaq sensual. Për tu dukur modernë dhe simpatikë, apo për të fituar diçka që në kushte normale nuk na takon, hedhim në qarkullim forma hileqare, të padenja, të ndyra siç është joshja dhe ofrimi i seksit femror apo ai i “dylberëve” që është bërë trendy së fundmi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here