Ndryshon nota mesatare për pranimin në universitet, mesatare më të lartë për mësuesinë

Maturantët që do të ndjekin universitetet në vitin akademik 2018-2019, do të duhet të kenë një mesatare minimalisht 6.

Në vendimin e qeverisë thuhet se nota mesatare për pranimin në institucionet e arsimit të lartë përllogaritet si mesatare e thjeshtë e treguesve:

a) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave përfundimtare vjetore të lëndëve  për të gjitha vitet e shkollimit në arsimin e mesëm të lartë.

b) Mesatarja aritmetike e thjeshtë e notave të provimeve të Maturës Shtetërore.

Kandidatët që do të duhet të ndjekin studimet për mësuesi, prej këtij viti akademik duhet të kenë një mesatare më të lartë.

Për kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimit të fushës së mësuesisë, për vitin akademik 2018-2019, nota mesatare e përllogaritur, sipas këtij vendimi, të jetë nota 7 (shtatë). Programet e studimit të fushës së mësuesisë përcaktohen në shtojcën 1, që i bashkëlidhet dhe është pjesë përbërëse e këtij vendimi”, thuhet në pikën 3 të vendimit.

Ndërkohë, kandidatët që aplikojnë për t’u pranuar në programet e studimeve dyvjeçare, me karakter profesional, nuk kanë detyrimin të plotësojnë kriterin e notës mesatare.

Procedurat për njëvlershmërinë e dokumenteve të paraqitura nga shtetasit shqiptarë dhe të huaj, të cilët kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë jashtë vendit, dhe përllogaritja e notës mesatare për këta kandidatë kryhen në Qendrën e Shërbimeve Arsimore, sipas përcaktimeve të pikës 2, të këtij vendimi. Në rastet kur nuk aplikohen provimet e Maturës Shtetërore, komisioni përkatës përcakton mënyrën e përllogaritjes së notës mesatare. Komisioni përkatës dërgon të dhënat te njësia arsimore përkatëse”, thuhet në vendimin e qeverisë.

 

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment