Negociatat/ Basha: Të mos e shesim sapunin për djath. 15 kushtet flasin qartë

0
144

Në një lidhje me Skype për emisionin “Tempora”, nga zyra e tij në selinë e PD, kreu i saj Lulzim Basha ka komentuar vendimin e sotëm të ministrave të BE për ti hapur dritën jeshile çeljes së negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.
Sipas liderit të opozitës, deklarata e nënkryetarit të Grupit Parlamentar të CDU/CSU, Johann Wadephul dhe ajo e ministrit të jashtëm holandez flasin qartë.
“Politikanët janë të zotët të shesin sapunin për djath. Këtu është bërtitur fitore, kur negociatat nuk ishin hapur. Tashmë nuk mund të luhet më. Duhet të heqim dorë nga kjo sjellje pasi kështu nuk mund të shkojmë në Europë. Nëse lexoni deklaratën e plotë të Wadephul apo ministrit të jashtëm holandez, komentet e mia janë të tepërta”, u shpreh Basha.
Sa i përket 15 kushteve të vendosura nga BE, kryetari i PD deklaroi se, ato tregojnë gjendjen reale të vendit.
Pjesë nga intervista:
Pyetje : Europa kthen sytë nga Shqipëria kur kufinjtë janë mbyllur , si do ta cilësonit këtë?
Lulzim Basha : Nuk jemi vetëm. Ndryshe nga ç’mund të pretendohet në moment paniku apo ankthi, Shqipëria nuk është vetëm. Nuk ishte vetëm kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës na përfshinë në ndihmën e tyre 100 milionë dollarëshe për vendet e Ballkanit që po dedikon përmes USAID-it dhe nuk është vetëm edhe në këtë moment, kur Bashkimi Europian I ka ndarë plot 50 milionë euro për vendin si pjesë e një pakete e ndihmës për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndaj fjalët e para janë fjalë mirënjohjeje për taksapaguesit europianë, të cilët sot ndodhen në situate të ngjashme me ne për sa I përket pandemisë, rrezikut ndaj të cilit janë ekspozuar natyrisht ne kushte shumë më të mira dhe të favorshme sesa shumica dërrmuese e qytetarëve shqiptarë dhe janë kujtuar përmes qeverive të tyre, përmes Bashkimit Europian të ndajnë në këtë ditë të vështirë para nga paratë e tyre për t’u ardhur në ndihmë vendeve tona, në këtë rast për t’I ardhur në ndihmë Shqipërisë. Në këtë kuptim dua të them se është një vepër bujarie, por edhe largpamësie se është një ndihmë që alokohet në të njëjtën kohë me atë që po bën qeveria shqiptare pas ato 2-3 javësh kërkesash të shoqërisë, opozitës dhe të miat personalisht. Ndaj thirrja ime është që këto para të administrohen me transparencë, me kujdes dhe të shkojnë aty ku ka më shumë nevojë dhe të shkojnë sa më shpejt.
Pyetje : Çfarë ndryshon që nga sot me njoftimin e dalë publik për Shqipërinë në raport me familjen e përbashkët europiane?
Lulzim Basha : Ajo që ndryshon është që marrin fund paqartësitë. Për fat të keq për më shumë se tre vite këtu është bërtitur fitore dhe hapje negociatash, kur negociatat nuk ishin hapur. Tanimë askush nuk mund të luajë më me fjalë, faktet janë mbi tavolinë, Bashkimi Europian ka bërë të vetën, vendet anëtare më në fund kanë krijuar mjaftueshëm konsensus për të bërë përpara dhe rruga përpara për dy vendet tona është e qartë. Maqedonisë i është dhënë dritë jeshile dhe do të nisë përgatitja e ngjarjes së parë qe shënon hapjen e negociatave e ashtuquajtura Konferencë Ndërqeveritare. Ajo është hapi i parë formal i nisjes së bisedimeve të një vendi në bllokun e Bashkimit Europian. Që Shqipëria të vijë tek ky hap duhet të plotësojë katër parakushte dhe 11 kushte, ndryshe nga Maqedonia e Veriut, ndryshe nga fqinji ynë. Dhe këtu janë nëntë kushtet e Bundestagut tashmë të njohura për qytetarët shqiptarë, për publikun shqiptar dhe janë shtuar po ashtu disa kushte të tjera, disa parakushte të tjera të cilat kanë të bëjnë me ato probleme të cilat shqiptarët i njohin fare mirë, problemet e demokracisë, të zgjedhjeve, të luftës kundër korrupsionit, të luftës kundër blerjes së votës, të drejtësisë së pavarur, të dhënies fund të kulturës së pandëshkueshmërisë të njerëzve me pushtet, qoftë ky pushtet politik apo pushtet kriminal, apo qoftë edhe ekonomik. Pra një sërë kushtesh plotësimi i të cilave në vetvete do ta bëjë Shqipërinë më të mirë, më të lirë, më të barabartë për të gjithë qytetarët shqiptarë.
15 Kushtet që duhet të përmbushë Shqipëria:

  1. Ekzistenca e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë në bazë të Kushtetuese.
  2. Reforma Zgjedhore në përputhje të plotë me rekomandimet e OSCE/ODHIR duke siguruar një financim transparent të partive politike dhe fushatës elektorale.
  3. Plotësimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë duke marrë parasysh ekspertizën ndërkombëtare përfshirë edhe aplikimin e mendimit të Komisionit të Venecias.
  4. Shqipëria duhet të përforcojë luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar përfshirë edhe kooperimin me vendet anëtare të BE-së dhe përmes një plan veprimi të adresojë rekomandimet e task Forcës Financiare (FATF)”, thekson materiali i miratuar ditën e sotme.Ndërkohë që qeveria shqiptare do të ketë dhe 11 detyra të tjera shtëpie për të përmbushur.
    Sipas materialit Shqipëria duhet të përmbushë:
  5. Finalizimi i SPAK sipas formës kushtetuese.
  6. Shqipëria duhet të ndërpresë menjëherë numrin e lartë të azilkërkuesve në BE dhe të sigurojë riatdhesimet.
  7. Qeveria Shqiptare duhet të amendojë ligjin e mediave në linjën e rekomandimeve të Komisionit të Venecias.
    Këshilli do të vërejë përmes grupeve të punës nëse Shqipëria ka ndërmarrë me sukses prioritetet si:
  8. Nisja e procedurave kriminale ndaj prokurorëve dhe gjyqtarëve të akuzuar për vepra penale.
  9. Nisjen e hetimeve ndaj atyre që kanë kryer blerjen e votave.
  10. Duhet të kenë një vijimësi dhe vazhdimësi në lidhje me luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë edhe procedimin dhe përfundimin e procedurave ndaj politikanëve të lartë dhe zyrtarëve të korruptuar.
  11. Proces të prekshëm në reformën administrative.
  12. Implementimit të reformës elektorale dhe gjithashtu një vendim përfundimtar dhe ligjor në lidhje me zgjedhjet e 30 qershorit.
  13. Qeveria shqiptare duhet të angazhohet për të përmbushur kushtet e përcaktuara në vitin 2017 sa i takon minoriteteve etnike.
  14. Adaptimin e një ligji për censusin e regjistrimit të popullsisë të kërkuar nga Athina në përputhje me rekomandimet e KE-së
  15. Avancimin e procesit të regjistrimit të pronave për minoritarët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here