Negociatat, ”Kopili” i Ramës në Derën e Bashës

Edhe sot, pas kthimit pa trofe nga samiti i Sofies, kryeministri përsëriti refrenin neoenverian se armiku i brendshëm, po saboton projektin europian të shqiptarëve. Sigurisht që tingëllon qesharak dhe rrezaton më fort se kurrë dështimin e qeverisë së tij për ta bërë Shqipërinë një vend normal që vërtet meriton të jetë pjesë e familjes së madhe të BE-së.

Projektimi i këtij dështimi tek “armiku i brendshëm”, e nxjerr më shumë në pah dobësinë e një njeriu që dridhet edhe nga pyetja më e thjeshtë e një gazetareje dhe që i mbahet fryma sa herë i duhet të përballet me të vërtetat e tij. Propaganda, sado e sofistikuar të jetë, shkërrmoqet edhe nga ballafaqimi më i thjeshtë.

Strategjia e Ramës dhe e zëdhënësave të tij, për t’i dhënë Lulzim Bashës fuqinë e ndikimit mbi vendimmarrje kaq të rëndësishme të BE, është e ngritur mbi argumenta kontradiktorë dhe, si e tillë, nuk kapërdihet as nga ata që e recitojnë sa herë u jepet mundësia. Si mundet që një qeveri reformatore, që ka bërë atë që nuk qënka bërë në 25 vjet, që po shkëlqen me performacën e saj, të dështojë për shkak të fjalimeve të Lulzim Bashës? Çfarë magjie paska përdorur Luli që paska prishur lidhjen speciale të Edit me kancelaren Merkel apo ka zhbërë magjepsen e Makronit nga atletet adidas dhe letra prekëse që i ka shkruar kryeministri ynë? Si ka mundësi që ky “agjent i Rusisë”, paska këtë fuqi sa të errësojë suksesin e bujshëm të qeverisë në Shqipëri e më gjerë, rolin e vetë Ramës si një lider global dhe famën e tij si një artist bashkëkohor? Kaq e verbuar qenka Europa prej Bashës, sa nuk vlerëson arritjet e Edi Ramës?

Edi Rama, në filozofinë e tij të lënien së përgjegjësisë në derën e të tjerëve, po mundohet t’u mbushë mendjen shqiptarëve se nëse nuk hapen negociatat në qershor, fajin e ka opozita. Se ai i ka bërë detyrat e shtëpisë, por këta “vulëhumburit pa atdhe”, e kanë gënjyer Brukselin prandaj dhe ai ka mbetur në klasë. Me këtë logjikë i bie që paska qenë Partia Demokratike që e ka vënë ministër të Brendshëm Saimir Tahirin, që e ka lidhur me Habilajt, që i ka thënë t’ua lërë makinën për të mbaruar punët e tyre dhe që në fund ka kurdisur shërbimet e huaja dhe prokrurorinë e Katanias ta akuzojë për trafik ndërkombëtar droge. Madje Partia Demokratike paska bërë që Edi Rama të zgjedhë edhe ministrin tjetër të Brendshëm, me një vëlla të dënuar për trafik ndërkombëtar droge dhe ka bindur edhe gjykatat italiane që ta dënojnë atë sepse një ditë vëllai i tij do të bëhej ministër dhe kështu do t’i nxinte faqen Shqipërisë. Me siguri që edhe deputetët dhe kryetarët e bashkive, do ia ketë caktuar Lulzim Basha, të cilit shërbimet e huaja i kanë thënë që ata janë persona me rekorde kriminale.

Këto sigurisht janë përgjegjësi të Edi Ramës dhe vetëm të Edi Ramës. Lidhjet e qeverisë së tij me krimin dhe korrupsionin janë i vetmi sabotim i hapjes së negociatave të Shqipërisë me BE. Brukseli nuk funksionon si Tirana, ku mban një fjalim, e shpërndan në kazanin tënd mediatik, e beson dhe vetë dhe kërkon të bindësh dhë të tjerët. Brukseli funksion me fakte dhe rekorde. Deri tani, nga Edi Rama ka fjalë dhe vetëm fjalë. Shqipëria mbetet po i njëjti vend, në mos me keq, i kapur nga krimi dhe korrupsioni, me një nivek ekonomik më të ultin në Europë, me investime të huaja thuajse zero dhe dhjetrafish më pak se Maqedonia fqinje, me një shtyp pjesërisht të lirë dhe me një konflikt politik të ndezur. Këto janë faktet, propaganda është ajo që pamë sot në aeroportin e Rinasit, ku mjaftoi pyetja e një gazetareje për të kuptuar raportin e kryeministrin me të vërtetën.

Vjen një kohë që një kryeministër duhet t’i njohë përgjegjësitë e veta. Nuk mund ta shtyjë gjithë karrierën duke ua lënë të tjerëve në derë dhe vetë të korrë vetëm meritat. Përndryshe kthehet në një lider, që siç thotë dhe vetë, është për të qeshur dhe për të qarë.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment