Nëntori i ngjarjeve të shënuara/ MJ përkujton veprimtarinë diplomatike të Fan Nolit

0
237

Në historinë e diplomacisë shqiptare, nëntori është muaj ngjarjesh të shënuara, arritjesh që kanë bërë epokë dhe kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë kombëtare.

Në kuadër të këtij muaji, ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka ka përkujtuar sot veprimtarinë politike dhe diplomatike të Fan Nolit.

Në përkujtim të këtyre ngjarjeve, MEPJ nis një cikël videosh, për disa prej figurave më të shquara dhe të rëndësishme diplomatike, të cilat kanë kontribuuar në krijimin e shtetit shqiptar.

“Fan Stilian Noli, një personalitet i shquar, i cili me veprimtarinë politike dhe diplomatike, iu përkushtua çështjes së pavarësisë, të integritetit territorial të atdheut, të njohjes ndërkombëtare të shtetit të sapoformuar shqiptar, si dhe të demokratizimit dhe modernizimit të jetës dhe mendësisë së shoqërisë shqiptare”, thekson Xhaçka në postim.

Në video thuhet se, “Fan Noli përfaqëson një personalitet të shquar në historinë tonë. Me veprimtarinë e tij letrare dhe publicistike ai lartësoi figurën dhe dinjitetin e shqiptarëve. Kurse me veprimtarinë e tij politike dhe diplomatike iu përkushtua pavarësisë dhe integritetit territorial të atdheut, njohjes ndërkombëtare të shtetit shqiptar, si dhe demokratizimit dhe modernizimit të jetës së shoqërisë shqiptare”.

Më 28 prill 1912, bashkë me Faik Konicën është ndër themeluesit kryesorë të shoqatës pan-shqiptare Vatra në SHBA”.

Në video dëgjohet zëri i Fan Nolit,i cili deklaronte se, “Vatra u përfaqësua me delegatin e saj më 4 korrik 1918 përpara presidentit Uillson dhe fituam një nga miqtë më të mëdhenj, i cili e shpëtoi Shqipërinë nga copëzimi”.

Më 26 korrik 1919, Noli kthehet në atdhe si i dërguari i diasporës shqiptare në SHBA, për të kontribuuar në konsolidimin e shtetit shqiptar.

Pas fitores së revolucionit të qershorit 1924, ai u bë kryeministër i Shqipërisë. Qeveria Noli u angazhua në disa reforma të guximshme demokratizuese në jetën e shtetit shqiptar, si në pikëpamje të politikës së brendshme, ashtu edhe asaj të jashtme”, theksohet në video.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here