Nga 15 janari del leja e re e qarkullimit, cilët drejtues duhet të pajisen

Më 15 janar të 2022, hyn në fuqi leja e re e qarkullimit për drejtuesit e mjeteve. Ndryshe nga aktualja, leja e re ka disa përfitime për drejtuesit.

Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimeve të Transportit Rrugor, Blendi Gonxhe, tha për A2 CNN, se leja e re është e më rezistente ndaj lagështirës, është e pafalsifikueshme, kushton rreth 40% më pak dhe nuk skadon.

“Nga 15 janari, ne dalim me lejen e re të qarkullimit të mjeteve, e cila eliminon certifikatën e mjetit. Tashmë do të kemi vetëm lejen e re të mjetit, e cila do të jetë më e mirë në cilësi se dhjetëra shtete të Bashkimit Europian. Leja do të jetë më e vogël dhe e pashkatërrueshme, nuk prishet nga lagia, nga zhubravitja. Edhe nga pikëpamja e sigurisë është e pafalsifikuar. Kjo leje do të kushtojë edhe 40% më pak, nuk do të skadojë më, nuk do të ketë më vulat e kolaudimit që na mbushnin vendin dhe ne bënim një leje të re. Nuk do të kemi nevojë të kemi më as leje ndërkombëtare me vendet e BE-së. Dalim në një dokument më të sigurt dhe më të lirë”, u shpreh Gonxhe.

Gonxhe shtoi se leja e re nuk është me detyrim. Sipas tij, me të mund të pajisen ata drejtues që humbin letrat, ndërrojnë targat apo pronësinë e makinës.

“Nuk është me detyrim. Kjo do të thotë se kush ka një gjë për të bërë, i humbin letrat, ndërron targat, ndërron pronësinë apo ka një shërbim që kërkon ndërrimin e lejes, atëherë do të marrë lejen e re. Në rast se ai do me dëshirë të vijë të marrë lejen e re, atëherë bujrum, por nuk ka detyrim”, tha Gonxhe.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment