Nga Basir Çollaku/ Ambasadore Kim, pyesni zyrtarët: “Si i keni robt e shpisë?”

0
179



Ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim, ka pasur një dendësi takimesh dhe pjesëmarrjesh në organizime, sa ekonomike zyrtare, aq edhe diplomatike. Në përshëndetjen e pritjes së dhënë si mirëseardhje në Ambasadë, kryediplomatja Kim, ndër të tjera tha se “ndihem e nderuar që Presidenti Trump dhe sekretari Pompeo më besuan këtë detyrë.” Mesazhi sa politik aq dhe diplomatik, përkon me pritshmërinë dhe prioritetet. Të merakosurit shpresues për një ndërrim kursi, menduan se territori i ndikimit të projektit “Soros” në Ambasadë, në partitë politike dhe në institucione, kryesisht të drejtësisë, do të meket disi.
Të tjerë më të ftohtë e me përvojë, kujtojnë se arkivi amerikan në politikën e jashtme, punon me platforma dekadash dhe jo qëndrime minutash. Sigurisht stafi i kryediplomates ka gati dosjet përkatëse të punëve të saj, duke ia shtuar atyre të Uashingtonit. A ka harmoni, mbivendosje apo diversion, sasia e pakët e ditëve nuk të mundëson një perceptim final. Karriera e gjatë dhe cilësore e Ambasadores, e njohur si pjesë republikane, nuk lë shtigje hamendësishmesh, por në Shqipëri, befasitë janë gjithnjë vakte ushqimore.
Por teksa shoh takimet e partneritetit me qeverinë dhe klasën politike, me vjen menjëherë në kujtesë një pyetje, të cilën duhet së paku t’ia ketë ndërmendur ambasadores ekipi i shërbimit të saj, për t’ua buzëqeshur minsitrave, deputetëve, partiakëve e bashkiakëve, sipas rasteve konkrete. Pyetja, sa diplomatike është dhe tradicionale do të thoja. Miqësisht ne kemi si trashëgimi pyetjet e para për robt e shpisë. Si janë fëmijët, prindërit, bashkëshortët, motra e vëllezër. Deri këtu mbërrin mirësjellja dhe etika e çasteve të para. Më tej sipas kimisë.
Unë do të hamendësoja afërsisht kështu.
Kur ka takuar kryeministrin Rama, mundej ta pyeste si është vëlla Olsi, djali Gregu, bashkëshortja Linda? Si i shkojnë punët vëllait me Partizanin, a e hoqi atë sikletin e shumëpërmendur të dosjes së “Xibrakës”? Po Linda, si e ujdisi këtë historinë me “Abi Bank”? Nuk ka më shqetësime opozitare dhe ofshoresh?
Rama vetë është ende në të njëjtën mendje, se Trump është fatkeqësi e njerëzimit, siç tha në pragmandatin e parë në CNN, apo do të thotë ndonjë deklaratë tjetër tani në vitin elektoral për mandatin e dytë të Donald Trump. Se mos ka qenë në paradhomë dhe Agaçi dhe ftilloheshin pyetje të tjera.
Kur ka takuar Veliajn, mundej ta pyeste si ia doli të bëjë aq shumë dasma luksoze e blejë rehati qëndrimi, me një pension fshati në Shqipëri? A u dha denim i formës së prerë për të riun Ardit Gjoklaj, ku bashkia dhe firma e tij, janë trullosur në procedura përgjegjësie?
Kur ka takur Gramoz Ruçin a mund ta pyeste për të birin Ledion, historitë e tij të armëve apo biznesit nëse ka ftilluar, apo se si ndihet si ish-ministër sigurimi, kur dërrmojnë ende viktimat e pasardhësit të tyre në vitin 2020, pa rrëshkitur ndër nipa me histori të paqarta në motet e vështira të luftës së 97-ës.
Kur të takojë Fatmir Xhafën, ta pyesë për Geronin, si po e përballon vuajtjen e dënimit me 7.2 vite për trafik ndërkombëtar heroinë dhe a i ka dërguar OFL-ja ndonjë formular për ta plotësuar për pasuritë me mbiemër Xhafaj, në Pogradec, Vlorë dhe Tiranë ? Kur të takojë Sajmir Tahirin, ta pyesë se si ja dole të mbetesh me shërbim prove kur kushërinjtë e organizatës ndërkombëtare kriminale, ku pasardhësi Lu kërkonte në emër të eprorëve një hetim të thelluar dhe vënien para përgjegjësisë të ministrit.
Kur të takojë Damian Gjiknurin, ta pyesë dhe për gurunë indian nën ektin fetar të të cilit, bashkëshortja angazhohej jo thjesht si besimtare, por dhe në një hetim shërbimesh për një mundësi dhurate të Gjiknurëve në Frankfurt për një tempull të shtrenjtë andej. Mos të ndalojë te dosja 184 me tërmete votash, se duhet të zgjatet te inceneratorët. Kur të takojë Taulant Ballën, ta pyesë dhe për mbarësinë profesionale të bashkëshortes apo familjarëve të tjerë, duke mos harruar dhe për Mondin ndonjë fjalë, se pak tendera ka përfituar pas mbylli hesapet me bandën ku gjendej i përfshirë sipas prokurorisë.
Kur të takojë Arben Ahmetajn, mos ta pyesë se si e shpëtoi Zoti dhe robi nga aksidenti në Maqedoni, apo për fshehje të dhënash në buxhetin e dy viteve sipas raporteve të KLSH, as për Hermesin e vjetër miliona eurosh përfitim, as për paratë e tërmetit në duart e Ben buxhetit. Kur të takojë Belinda Ballukun mos ta pyesë për punët e Rinasit me trafikun ajror me dhe pa ngarkesa të çuditshme, as për Kajmakun dhe tendera të tjerë në detyrat e vjetra dhe të reja.
Kur takon Sandër Lleshajn, mos e pyet a ishe në shërbim më 21 janar, apo ke pasur ndonjë hall me ndërrimin e mbiemrit për ndonjë flirt lindor, apo një pakujdesi drejtshkrimi, sepse për gazin dhe bindjen e verbër ndaj eprorëve, kanë dijeni dhe jofrymorët. Nëse të takojë Mimi Kodhelin, mos ta vërë në bezdi për të marrë vesh se si u ftohën radarët dhe skafet e drogës bënin turizëm Shqipëri-Itali sipas orarit të ngarkesave, as nëse ka familjarë në ambasadë që ia rrisin karrierën drejtuese KLP-së, bashkëpunëtor i Soros që nga 94-sipas vetëdeklarimit.
Kur takon Olsi Çelën, mos e pyet për famëkeqin Aranit Çela, se nuk takohen në brezni të afërta as të largta, por për familjarë të tjerë shumë shumë here më të afërt, të cilët edhe mund të kenë ndonjë fije rrotull pushtetit të fortë. As për Xibrakën e mosapelimit mos e pyesë, se histori kokaine me laborator ishte. Kur të takojë Arben Krajën e SPAK, ku çelin pritshmëritë e mëdha amerikane, mos e pyesë se si ka punuar si hetues diktature, as si ka mbyllur disa dosje të mëdha më herët, ku ia kanë mbajtur shënim shërbimet, as për të afërm që janë shpërblyer e të bindur në vende ku kullon privilegj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here