Nga Gjermania në SHBA, shuplaka të forta ndaj qeverisë së Edi Ramës

0
178

Në fillim të këtij muaji, gazeta zvicerane “Tages Anzeiger” publikoi një shkrim të Enver Robellit. Shkrimi titullohej “Supershqiptari” dhe i referohej ambasadorit amerikan në Tiranë, Donald Lu.

Sipas shkrimit, Donald Lu është kthyer në gjahtarin kryesor të mafias në këtë vend të Ballkanit.

“Pas mandatit të dytë, kryeministri shqiptar, Edi Rama premton se do të fitojë luftën kundër kanabisit. Por për ambasadorin amerikan këto tingëllojnë si fraza boshe”, thuhej në shkrim.

I njëjti shkrim, thuajse i paprekur, u publikua orët e fundit nga një media shumë e rëndësishme gjermane, Sueddeutsche Zeitung.

Shkrimit i ishte shtuar vetëm ky paragraf: “Nga java e kaluar ndodhet nën presion ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri për shkak të lidhjeve të dyshuara me bandën e drogës, që u ndoq me vite nga policia italiane. Socialistët në qeveri refuzojnë heqjen e imunitetit të tij”.

Shkrimi bëri jehonë në median gjermane dhe pjesë të tij u publikuan edhe nga Deutsche Welle. Ai vjen në kohën kur presioni ndaj kryeministrit Edi Rama është rritur ndjeshëm dhe vëmendja është kthyer tek ndërkombëtarët, për të parë reagimin e tyre.

Pikërisht në mbrëmje një reagim i fortë mbërriti nga SHBA. Zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Brian Yee komentoi rastin e Tahirit, duke thënë se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Ai shtoi se SHBA mbështet punën e prokurorëve dhe gjykatësve.

“Sinqerisht, nuk mund të flas dot mbi rastet individuale, por gjithsesi besojmë në disa parime.

I pari është se ligji duhet të jetë i zbatueshëm për të gjithë njësoj, askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, askush nuk mund të gëzojë imunitet nga ligji. Mbështesim plotësisht prokurorët dhe gjykatësit, të cilët ndjekin hetimet, dënimet, kudo që ato çojnë, në nivele të larta apo të mëposhtme të administratës. Nuk besojmë se individët duhet të shënjestrohen pse i takojnë një partie politike apo një tjetre, por parimi themelor është se askush nuk duhet të jetë mbi ligjin.

Së dyti, ne mbështesim qeverinë, që jep shembullin. Qeveria është ajo e cila duhet të japë shembullin dhe të demonstrojë para qytetarëve se është e përkushtuar të luftojë korrupsionin, qofshin ata qytetarë, zyrtarë qeveritarë, të huaj, shqiptarë…dhe se Shqipëria është serioze në përpjekjet e saj për të luftuar korrupsionin-tha Yee.

Burimi: Syri.net 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here