Nga Roland Bejko/ Dy fjalë për ata që falen të premtet në xhami!

0
150

Ata djemtë shkojnë në xhami thjesht për qejfin dhe shpirtin e tyre. Falen çdo të premte. Nuk bezdisin askënd. Edhe pse mbi supet e tyre nuk kanë asnjë akuzë apo mëkat nga ato të tipit “korrupsion i qënësishëm, pengim të demokracisë apo favorizim të familjes dhe aleatëve të vet politikë me benefite pushteti”, sepse asnjë ditë nuk kanë qenë në qeverisje para 2013, ata prap falen. I falen zotit, jo idhujve të remë komunistë e paganë që konkurojnë zotat.

Ata nuk kanë mankthe nga e kaluara e tyre. Gjumin e bëjnë të qetë sepse mbi supet e tyre nuk kanë asnjë akuzë për abuzim me fondet publike, as para të futura në perandoritë e oligarkëve, as bashkëpunim me krimin e organizuar.

Ata jetojnë në mënyrë modeste, shumica në shtëpi me qera, dhe prap janë të lumtur. Janë të lumtur se në faqet e murreve të shtëpive të tyre modeste, kanë bibliotekë, kanë libra, kanë mend, kanë kulturë.

Ndaj ata shkojnë në kisha dhe xhami e falen. Falen çdo të premte, dhe pesë herë në ditë kur munden. Kur falen, ashtu pa zë, falenderojnë zotin që i ka bërë kaq të mirë. Falenderojnë zotin që u ka dhënë paqe shpirtërore, mirësi dhe vullnet për dije. Vullnet për dije, jo vullnet të sëmurë për pushtet.

Falenderojnë zotin që u ka dhënë mendjen e hajrit. Se tek e fundit nuk i kanë borxh askujt. Gjithçka e kanë nga vetja dhe nga zoti. Ata besojnë në zot, familje, atdhe!

Ata shkojnë në kisha dhe xhami çdo të premte, të qetë. Pa peshën e fajit mbi supe, se të paktën nuk kanë prishur as kisha dhe as xhami siç ata që sot ndjekin pas me ulërima e çkulje flokësh floktoren.

Ata falenderojnë zotin që nuk i bëri bij të revolucionit famëkeq “kulturor” që në emër të emancipimit shoqëror rënuan institucionet e besimit me tritol, kazma e lopata.

Ata falen e do falen, flasin e do flasin, si njerëz të lirë, jo si mercenarë të paguar nën vëzhgimin e syrit të së keqes, sepse ata nuk janë punistë. Ata nuk kanë frikë nga njeri, veç zotit.

Ata e pranojnë të ndryshmin. Për të dobëtin u vjen keq, dhe si besimtarë që janë, duan ta ndihmojnë.

Duan ta ndihmojnë duke i treguar me modesti rrugën e zotit.

Por kur ai nuk i kupton, bën sikur nuk i kupton, dhe i sulmon nisur nga halli që ka, ata thjesht e mëshirojnë dhe vazhdojnë të qetë në rrugën e tyre me buzë në gaz. Të pa shqetësuar, të pa habitur. Ata nuk pyesin “pse” po sulmohen. Ata e dinë përgjigjen. Atë e gjejnë te mësimet e zotit, jo tek ato të Enverit.

Ata do shkojnë prap të premten që vjen në xhami. Do shkojnë të luten për të dobëtin që zoti ta ndihmojë e të mos ndihet i vetmuar edhe kur është i rrethuar nga qindra idhujtarë që e shikojnë si zot. Ata do luten dhe do t’i kërkojnë zotit t’i qetësojë mendjen dhe shpirtin e trazuar se me gjullurdinë që po bën, do marrë në qafë gjithë dynjanë.

Amin!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here