Nga Vehap Kola / Maqedonia prodhon autobusë, Shqipëria në autobus

Për meritë të taksës së sheshtë 10%, një fabrikë autobusësh, që mund të ishte në Shqipëri duke punësuar 1000 vetë, është në Shkup.

Kompania belge Van Hool hapi fabrikën e saj në Shkup në vitin 2014, në epokën e Gruevskit, atij diktatorit që e donte vendin e tij dhe tërhiqte më shumë investime se Shqipëria falë taksës së sheshtë.

Kompania britanike e katalizatorëve për automjetet Johnson Matthey ka punësuar edhe 1000 të tjerë në fabrikën më të madhe të daj në kontinent, pikërisht në Maqedoni, Johnson Matthey DOOEL. Në vitin 2019 ajo eksportoi 1.9 miliard euro produkte.

Në çdo 100€ shitje në Maqedoni, 61€ janë shitje eksporti. Në Shqipëri kjo shifër është 31€, ndërsa në Serbi 51€. Vetëm Kosova është pak më dobët se ne, me 28% të PBB-së eksporte.

6000 maqedonas janë punësuar në fabrikën e një tjetër investitori të huaj të epokës së taksës së sheshtë: KROMBERG & SHUBERT MAKEDONIJA DOOEL Bitola. Fabrika prodhon sisteme elektrike për automjete.

Pabarazi të mëdha ka shkaktuar taksa e sheshtë. Duke u aplikuar nga Maqedonia në një kohë që në Shqipëri zbatohet tatimi progresiv, ajo i ka tërhequr investitorët e huaj drejt në thellësi të Ballkanit.

Të gjitha këto kompani kanë ardhur më parë në Shqipëri por kanë zgjedhur Maqedoninë pasi kanë e vlerësuar më të favorshme.

Duhet të jetë shumë i thellë disavantazhi ekonomik që na ka shkaktuar taksa progresive në sytë e investitorëve që ata të mos zgjidhnin Durrësin me portin në derë dhe të thyenin qafën në Shkup apo Manastir.

Në raportin e fundit Doing Business 2020, Banka botërore e rendit Maqedoninë si ekonominë e 17 më të mirë në botë sa i përket lehtësisë së të bërit biznes. Shqipëria është e 82-a.

Më 25 prill, Shqipëria nuk u lejua të kthehej tek avantazhi fiskal me taksën e sheshtë 9%. Prandaj edhe për të paktën 4 vite, vendi nuk do të dalë nga qerthulli i fasonerisë dhe call centerave. Deri atëherë, Maqedonia do të vazhdojë të prodhojë autobusë, ndërsa Shqipëria do të mbetet në autobus.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment