‘Ngec’ fiskalizimi i bizneseve/ Vonesa e certifikatave, vendos në pikëpyetje vazhdimësinë e procesit

Procesi i fiskalizimit është shoqëruar me probleme që në nisje të tij. Deri tani, rezultojnë 35 mijë biznese të fiskalizuar, ndërsa certifikatën pranë AKSHI-së e kanë marrë vetëm 74 mijë subjekte.

Eksperti Armand Mala u shpreh se procesi i deritanishëm ka ecur me ritme të ngadalta shoqëruar edhe me problematika, për shkak të vonesës në pajisjen me certifikatën e fiskalizimit. Sipas tij, bizneset e vogla kanë hasur probleme me portalin ‘Self Care’, për shkak të funksioneve që duhet të kryejnë.

“Problematika më kryesore vazhdon mbetet vonesa në marrjen e certifikatës së fiskalizimit nga AKSHI që vonon deri në 30 ditë. Njohuritë e bizneseve për t’u futur në portalin Self Care i cili është i detajuar me një sërë funksionalitetesh. Nuk është vetëm lëshimi apo pranimi i një faturë por janë një sërë funksionalitetesh ku për moszbatimin e tyre përmenden gjoba. Në disa raste nuk shfaqet fatura tatimore, tjetër problematikë janë dhe deklaratat doganore,” u shpreh Mala.

Malaj ka propozuar shtyrjen e fazës tranzitore, për shkak të dy arsyeve: problematikave dhe numrit të ulët të subjekteve që janë fiskalizuar dhe faljes së gjobave nga ana e qeverisë deri në fund të dhjetorit të viti 2021.

“Edhe nëse bizneset janë gati unë shikoj që sistemi nuk është gati për të filluar rregullisht nga 1 janari. Dukshëm AKSHI nuk mund ta përballojë fluksin për të përmbyllur këtë proces në një periudhë kaq të shkurtër kohe. Që sistemi të ecë në rrugën e mbarë duhet që nga fillimi i vitit fiskal duhet që çdo biznes të jetë i fiskalizuar dhe vetëm në këtë formë mund të vazhdojë në rrugë të mbarë. Për pjesën e gjobave mund të rishikohen, të bëhen disa rregullime ku të paktën bizneset të nxiten që të futen në proces qoftë përmes stimujve fiskalë apo dhe vazhdimit të faljeve të gjobave,” tha eksperti.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment