Ngjarja në Fier, reagon politika shqiptare: Këmbanë alarmi për institucionet shqiptare

Presidenti Ilir Meta në një reagim për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Fier ditën e martë, deklaroi se kjo është një thirrje alarmuese për institucionet shtetërore.

Meta shprehet se autori i krimit makabër ka bashkëpërgjegjës që nuk kanë përmbushur detyrimet shtetërore, duke krijuar terren për këtë vepër penale. Presidenti sugjeron se duhet të ndërmerren nisma konkrete për të forcuar hetimin, parandalimin e veprave të tilla nga individë që kanë premisa për të qenë recidivistë.

“Vrasja e të miturit ditën e djeshme në qytetin e Fierit, nga një person me precedentë penalë, është thirrje alarmuese për institucionet shtetërore dhe tregues i mosfunksionimit të zinxhirit të sistemit, nga vënia e drejtësisë, deri te ndëshkimi e më pas rehabilitimi. Krimi makabër i djeshëm, që i mori jetën një fëmije të pafajshëm, ka autor, por ka dhe bashkëpërgjegjës, që nuk kanë përmbushur detyrimet shtetërore, duke krijuar terrenin për këtë vepër penale. Nuk mjafton, që përfaqësuesit e institucioneve të dalin me shprehje tronditëse për ngjarjen dhe ta dënojnë atë. Duhen ndërmarrë nisma konkrete për të forcuar hetimin, parandalimin e veprave të tilla nga individë, që dukshëm kanë premisat për të qenë recidivistë dhe për t`u përfshirë në krim, dhe për të cilët sistemi rehabilitues penitenciar dhe i post vuajtjes së dënimit, nuk ka funksionuar.  Nuk kam fjalë për të ngushëlluar familjen e të voglit Mateo.  Zoti dhe drejtësia ua lehtësoftë dhembjen”, shkruan Meta. 

Ndërkohë dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka reaguar në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur ditën e martë në Fier, ku Klodian Çalamani i mori jetën në mënyrë makabre 8-vjeçarit.

Përmes një reagimi në mediat sociale, Basha thotë se ngjarja është një këmbanë alarmi për të gjitha strukturat e shtetit shqiptar dhe duhet një vëmendje e shtuar ndaj çdo rasti.

“Jam thellësisht i tronditur për ngjarjen e tmerrshme kriminale që i mori jetën një 8 vjeçari në Fier. Si prind, ndaj sot dhimbjen me prindërit dhe familjarët e Mateos dhe lus Zotin t’ua lehtësojë dhimbjen!

Ngushëllimet më të ndjera familjes dhe të afërmve!

Dita e djeshme, e cila jo për herë të parë na përballi me ngjarje të rëndë kriminale, është një këmbanë alarmi për të gjitha strukturat e shtetit shqiptar, për policinë, drejtësinë, shëndetësinë e kujdesin social. Duhet një vëmendje e shtuar ndaj çdo rasti, një strategji e re përballjeje përtej propagandës, që ngjarje të tilla të parandalohen pa qenë vonë.”, shkruan Basha.

 Kujtojmë se ditën e martë, Klodian Çalamani i mori jetën fqinjit të tij 8-vjeç duke e goditur pas koke dhe më pas groposur në oborrin e shtëpisë së tij. Ngjarja u zbulua pasi i mituri prej disa orësh nuk kishte shkuar në shtëpi dhe nëna e vogëlushit denoncoi në polici zhdukjen e tij. Pas kësaj, nga këqyrja e kamerave të sigurisë së bizneseve pranë, u vu re se i mituri kishte hyrë në banesën e Çalamanit dhe nuk kishte dalë më prej atje. Me mbërritjen e policisë, Çalamani rrëfeu krimin.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment