Numra apo numri i halleve?

0
469

 

Nga Nevila Xhindi

Pas një mesdite të nxehtë në bulevardin me protestues nga e gjithë Shqipëria, domosdo edhe statistikat për protestën patën të nxehtë, i zuri vapa keqas!

Statistikat e gjora, numra pa fjalë, por vlerë në protagonizëm, u ndjenë herë në faj e herë të gëzuara, por si përherë në shërbim të porositësit të parë. Sa njerëz janë atje në bulevard? 7600..vrapoi të dëshmonte një dron qeveritar, ndërsa njerëzit mbushnin bulevardin, studiot televizive filluan betejen e statistikave të bulevardit 10 mijë, 30 mijë…100 mijë, mijë..mijë.. Filluan llogaritjet me formulë; 525 m linear, shumëzuar me 50 metër gjerësi, shumëzuar me??? Ketu statistikat humbën…shumëzuar me?? Vështirë në fakt, se fundja përgjigja kujt do i shërbente, përveçse porositësit qeveritar që gëzonte diellin në Vlorë.

Ndërsa dëgjoja këtë trokitje shifrash mbi një tastierë të prishur numrash, mu kujtua ajo batuta tek një teatër kukullash që jepej ne vitet “80 në TVSH të djelave në orën 10 në mëngjes. Polici që pyeste policin tjetër për një protestë komunistash: sa vetë ishin në protestë o Zhelal?- 100 më duket!- Jo, jo ishin ma shumë o Zhelal…50 më duket! Besoj shumë prej nesh u kujtohet sa qesharake ishte…

Fundja kujt i duhen numrat aritmetikë të një proteste, ndërsa hallet e përditshme të këtij populli prodhojnë pakënaqësinë e tij në progresion gjeometrik?

Kush protestoi? Sa ishin? Pse protestuan?

Protestuan…

…Pensionistët, që pas asaj perdes që lëkundej trishtueshëm përtej xhamit, në pamundësi për të na ndjekur në bulevard, protestuan. Protestuan se të gënjyer tashmë, pritën 4 vite tu rritej pensioni, por nuk e rilindën dot…. dhe janë shumë, shumë!

…Gratë, që të përvuajtuara nën zgjedhën e halleve të pamundura nuk mundën të dalin dot. Gratë që dhunohen, se modeli i burrave sot na qenka ai i të fortit, arrogantit, pijanecit, atij që të vret, të hedh nga kati i katërt, të mbyll në shtëpi, të rreh në sy të kalamajve, të prostituon, ….gratë, për të cilat as urdhri i mbrojtjes nuk funksionon, ama qeveria kujdeset të bëjë strategji… por pasi ti ketë identifikuar sigurisht. Janë shumë, shumë dhe ishin të përfaqësuara në atë bulevard!

…Të rinjtë, dhe kishte shumë prej tyre aty, por edhe mijëra që nuk dolën se puna në call center apo si kamarier nuk ta jep atë mundësi, se papunësia shpesh të bën të dorëzohesh, se mijera të tjerë janë në kërkim të profesionalizmit, se ndryshe nuk i arrin punët në qeveri! Protestuan, ato mijëra që studiojnë në kushte mjerane në shkolla, që në pritje për tenderin klientelist të rradhës, u bie tavani; ato mijëra që të gënjyer nga propaganda e arsimit profesional nuk gjejnë jo vetëm nje vend punë, por bazuar mbi ligjet rilindase janë me “cen” edhe për të garuar për shkollë të lartë; ato mijëra studentë të zhgënjyer që nuk u doli e drejta e studimit, që u seleksionuan nga një sistem që e ngriti me mjeshtri një armatë qeveristarësh klientelistë, si kurrë më parë, që drejtojnë Ministrinë e Arsimit. Ishin shumë, shumë!

…të sëmurët, që nuk na bashkoheshin dot, se shëndetësia falas i kishte bllokuar në carkun e saj koncesionist.

…profesorët që u dhunuan nga ligji klientelist i arsimit të lartë. Shumë prej tyre na ndoqën nga televizori, nga frika që nesër mund edhe të pushoheshin nga puna.

…të larguarit nga administrata publike, mijëra….Ama me ne ishin hijeve edhe mijëra që punojnë në administratë, nën zgjedhën injorante të drejtorëve rilindas.

…edhe fshatarët, të gënjyerit e produktit vendas që konkurrohen nga trau i doganës që ngrihet me urdhës të qeverisë oligarke.

…edhe profesionistë të larguar të policisë shqiptare, që enden të papunë, të pasigurtë e të pashpresë.

….edhe shumë e shumë nga ato djem e vajza, familje të tëra që i ktheyn dyerve të Europës, në kërkim të një jete më të mirë…ikën…u kthyen

….na prinin fëmijët!

Protestuam për votën e lirë, jo për copën e letrës që hidhet në kuti, për një Shqipëri pa qeverinë e mafias dhe oligarkëve, pa kriminelë në parlament, pa fusha kanabisi, pa ligje e reforma që i kanë bërë dëm Shqipërisë dhe brezave të saj, pa një Shqipëri të shitur te krimi.

Protestuam jo për të kënaqur statistikat e vaposura në bulevard, porse jemi qytetarë me shumë halle dhe e duam Shqipërinë mbi gjithcka.

Nëse ndonjë mendon se ndikimi i protestuesve do të humbiste shifrash në bulevard dhe zërat e tyre nuk do ta dëmtojnë veshin e shtetit, gabohet, thjesht gabohet. Mosbindja është themeli i vërtetë i lirisë…

Po numrat??? Sa ishin o Zhelal??

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here