OKB: Numri i njerëzve në nevojë për ndihmë dhe mbrojtje është rritur në rreth 274 milionë

0
147

Rreth 274 milionë njerëz në mbarë botën do të kenë nevojë për ndihmë dhe mbrojtje urgjente në vitin 2022, një rritje prej 17 për qind nga viti i kaluar, theksoi sot shefi i OKB-së për çështjet humanitare.

“Kjo është e barabartë me vendin e katërt më të populluar në botë”, tha Martin Griffiths, në një konferencë shtypi për fillimin e Përmbledhjes Humanitare Globale 2022.


“Ne synojmë të ndihmojmë 183 milionë nga njerëzit më vulnerabël – sërish një rritje nga viti i kaluar. Për këtë, po kërkojmë një rekord prej 41 miliardë dollarësh për të përmbushur nevojat humanitare të botës në vitin 2022″, tha ai.

Griffiths tha se nevojat e agjencive humanitare janë të njohura dhe përfshijnë konfliktet e zgjatura, paqëndrueshmërinë politike, ekonomitë në dështim dhe krizën klimatike.

Ai tha se 45 milionë njerëz që jetojnë në 43 vende janë “në rrezik nga uria”.

Për të sqaruar rëndësinë e përpjekjeve humanitare, Griffiths tregoi një takim me një vajzë të re turke në provincën juglindore të Gaziantepit të Turqisë, një qendër e refugjatëve sirianë ndër vite.

Kur u pyet se si njerëzit e Gaziantepit e menaxhuan fluksin e njerëzve që merrnin shërbimet e tyre, ajo i tha zyrtarit të OKB-së: “Është detyrimi ynë”.

“Ndihma humanitare ka rëndësi dhe mund të bëjë ndryshim”, tha Griffiths.

Në një pyetje rreth Turqisë që pret numrin më të madh të refugjatëve në botë, zyrtari i OKB-së tha se kjo është një “barrë e patolerueshme” për një vend.

“Turqia është e lidhur me mbi 9 milionë refugjatë sirianë në vende të ndryshme. Është një barrë e patolerueshme. Është një barrë, e cila ndihet thellë edhe në Liban dhe Jordani”, tha ai.

Në vitin 2021, me ndihmën e shumë qeverive dhe me punën e palodhur të shumë agjencive kombëtare dhe ndërkombëtare, ushqimi, ilaçet, shërbimet e kujdesit shëndetësor dhe ndihma të tjera iu dhanë 107 milionë njerëzve, 70 për qind e objektivit, bëri të ditur Zyra e OKB-së për Koordinim i Çështjeve Humanitare (OCHA).

“Ne ishim në gjendje të ndalonim urinë, duke prekur gjysmë milioni njerëz në Sudanin Jugor. Ofruam kujdes shëndetësor për 10 milionë njerëz në Jemen dhe atje mbajtëm rrezikun e urisë”, tha Griffiths, duke shtuar se rreth 400.000 njerëz janë ende në rrezik nga uria në Etiopinë veriore.

“Ne kurrë nuk u larguam nga Afganistani. Jemi atje tani me një program të parashikuar për vitin 2022, tre herë më i madh se programi për vitin 2021”, tha ai.

OCHA gjithashtu ndihmoi në koordinimin e vaksinimit të miliona njerëzve në Mianmar, ku nevoja për programe shëndetësore dhe ushqimore po bëhet “më e tmerrshme, më e komplikuar, më e ndjeshme”, shtoi zyrtari i OKB-së.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here