OKB: Shqipëria ndër 15 shtetet më të korruptuara të botës

0
202

Kur shqiptarët pyetjen se a mendojnë se korrupsioni është i përhapur në vendin e tyre, shumica dërrmuese e tyre mendojnë që PO. Sipas nënindeksit të korrupsionit, të publikuar në raportin e fundit global të lumturisë, porositur nga Organizata e Kombeve të Bashkuara, Shqipëria renditet e 15 ndër vendet më të korruptuara në botë, e matur sipas perceptimit të qytetarëve të saj.

Sipas metodologjisë së raportit perceptimi i korrupsionit mat mesataren kombëtare të dy përgjigjeve në sondazhin e realizuar nga Gallup: “A është korrupsioni i përhapur nëpër qeveri apo jo” dhe “a është korrupsioni i përhapur tek bizneset apo jo?” Perceptimi i përgjithshëm është një mesatare mes dy përgjigjeve 0-ose 1, ku 1 është niveli më i lartë. Perceptimi i korrupsionit në nivel kombëtar është mesatarja e përgjigjeve të perceptimit total në nivel individual.

Për Shqipërinë, indeksi për vitin 2018 është 0.9, pra shumë afër 1, që tregon dhe nivelin maksimal të korrupsionit.

Të dhënat historike, që prej vitit 2007 tregojnë se perceptimi i korrupsionit ka qenë më i ulëti në vitin 2010, ku treguesi zbriti në 0.73, për t’u rritur sërish në vitet në vijim dhe për të arritur në nivelin më të lartë, në 0.9. Pas rënies në 2017-n, në 2018-n treguesi arriti sërish në nivelin rekord prej 0.9.

Në botë, korrupsioni më i lartë, sipas asaj që perceptojnë banorët e vendit është Bullgaria, që e ka treguesin 0.95, e ndjekur nga Ukrania dhe Moldavia.

Përgjithësisht vendet e rajonit nuk rezultojnë të kenë besim në sistemet e tyre qeveritare. Qytetarët e Kosovës, Maqedonisë, Bosnjës mendojnë se qeveritë e tyre janë shumë të korruptuara, madje më shumë sesa në Shqipëri.

Raporti thotë se publiku duket i inatosur me liderët politikë që perceptohen si të paaftë për të zgjidhur pabarazitë, korrupsionin, dhunën dhe pasiguritë.

Shtetet, qytetarët e të cilëve perceptojnë se vendi ka shumë pak korrupsion janë Singapori, Danimarka, Finlanda, Zelanda e Re, etj.

Në Indeksin e Lumturisë 2019, të publikuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara raportin e Shqipëria renditet në vendin e 107 nga 156 shtete në, duke qenë e fundit në Europë, pra më e palumtura. Një nga elementët kryesorë që i bën shqiptarët të ndihen të palumtur është korrupsioni i lartë. Treguesi tjetër problematik është ai i mbështetjes sociale, ku jemi në vend të 133, i ndjekur nga ndjenja negative (108), ndërsa më mirë renditemi në pritshmërinë për një jetë të shëndetshme në lindje (40).

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here