Operacioni ‘Shpirti’, ose pse vesi i Rilindjes del bashkë me shpirtin!

0
252

Nga Poli Hoxha

Sa herë që dalin përgjime të kryera nga shërbimet e partnerëve ndërkombëtarë, aq herë shqiptarëve ju rikthehet periudha e kanabizimit të vendit, e cila nisi në vitin 2014 dhe vazhdon në mënyrë më të sofistikuar edhe sot.

Gjithmonë kur goditet ndonjë grup apo organizatë droge nga operacione përtej detit, dalin në shesh edhe fijet që i lidhin me krerë të Policisë së Shtetit dhe më tej deri te ministrat, vetë Edi Rama dhe biznesmenë afër tij.

U bënë të paktën 7 vite, që po bombardohemi nga  ‘rastësi’ të shumta që ndërlidhin botën e krimit me gjithë institucionet dhe majën e piramidës së shtetit: Emra të përveçëm, lidhje mes kupolës së Rilindjes dhe narko-trafikut që me miliardat e drogës ushqen bumin në ndërtim, hoteleri, resorte, koncesione. Një pjesë e mirë e tyre përdoren për blerjen e votës kur vjen koha e saj. Ky votë-trafik i narko-trafikut ndihmon ‘blindimin dhe vazhdimësinë e pushtetit, ose më saktë vijimin dhe fuqizimin e skemës.

Edhe pas operacionit të fundit të Antimafias italiane, ‘Shpirti’, si dhe rrëfimit të 4 të penduarve të drejtësisë, pamë një pjesë tjetër të po kësaj skeme të themeluar që kur Edi Rama erdhi në pushtet.

Organizatat e narko-trafikut prej kohësh të kthyera në ‘biznes’ bashkëpunojnë e madje janë edhe ortakë me zyrtarë të lartë policie, prokurorë, e si ‘qershia mbi tortë’, edhe me dy shoqëruesit e ish ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri.

Të gjithë së bashku janë hetuar dhe ju është vërtetuar se kanë trafikuar të paktën 6 tonë drogë përgjatë viteve 2014-2017 nga Shqipëria drejt Italisë, por duket se jo vetëm për sasinë por edhe për hierarkinë e emrave kjo është vetëm ‘maja e ajsbergut’.

Pikërisht tani, asnjë ditë më vonë, SPAK duhet të hapë një hetim gjigant për atë periudhë (kanabisimi i organizuar) kur krimi i organizuar shqiptarë bëri një kapërcim të madh cilësor. Koha kur nisi bashkëpunimin real dhe madje ortakërinë më shtetin. Starti kur paratë e fituara në atë kohë e kthyen krimin shqiptarë në grosist dhe distributor të madh ndërkombëtarë, edhe të kokainës dhe heroinës.

Një Dosje historike për autorët e një krimi të organizuar në rang kombëtarë. Nga njëri cep i vendit te tjetri; nga zyrtari më i thjeshtë i policisë dhe administratës deri te kryeministri. E gjitha e lejuar me vetëdije të plotë nga qeveria dhe e zbatuar në terren, nga organizata më të rrezikshme kriminale shqiptare dhe të huaja.

Aktualisht Edi Rama, hapur dhe prapa skene, po bën gjithçka  për ta kanalizuar si incident e të veçuar edhe këtë skandal të radhës që doli në shesh falë partnerëve italianë. Njësoj siç bëri, edhe me historinë e klanit Habilaj-Tahiri.

Fijet mund të dalin, por rrjeta nuk duhet të ç’thuret!

Dosjet ‘Shpirti, ‘339’, 184’ dhe ‘Habilaj’ janë vetëm pjesëza të pazllit të vetëm gjigant; të një narko-shteti i cili faktikisht ka mundur që të ndërtojë me sukses një narko-ekonomi, disa palë narko-zgjedhje, shumë narko-media dhe çdo ditë narko-politikë!

Meqenëse gjithçka nisi me vendosjen e Tahirit në krye të ministrisë së Brendshme, po ju paraqesim më poshtë në pak rreshta, sagën e ‘kapitenit’ të Rilindjes me ‘shefin e madh’ Edi Rama. Kjo për ata që deri tani kishin dilema, për ekzistencën e narko-oktopodit që ka kapluar me këmbët e tij çdo qelizë të këtij vendi; qeverinë, ekonominë, pasuritë, mediat dhe çdo institucion tjetër.

Kushdo që shpresonte se vetëm çuarja përpara drejtësisë si rast i veçuar i ish-ministrit të Brendshëm, drejtuesit operacional të shndërrimit të vendit në ‘Kolumbinë europiane’, krahut të djathtë të Edi Ramës, do të shënjonte edhe ç`thurjen e rrjetës kriminale dhe oligo-financiare që ka kapur këtë vend, ka gabuar rëndë.

Operacioni ‘shpirti’ tregoi se Rilindja në pushtet heq dorë nga trafiku dhe pastrimi i parave, vetëm kur ti dalë shpirti.

Saimir Tahiri nuk ka ‘gisht’ i vetëm te 4 vite aktivitet kriminal, Vlorë-Itali, me policinë nën urdhra që kryenin kushërinjtë e tij trafikantë Habilaj dhe siç del sot, edhe dy njerëzit më të besuar që i kishte edhe shoqërues.

Saimir Tahiri nuk kishte as guximin dhe as fuqinë, që të lejonte mijëra hektarë tokë në vitet, 20014-2015-2017, të shndërroheshin në ferma model të kanabisit. Nuk mundej kurrë të ishte i vetëm, kur financoheshin miliona euro për këtë ndërmarrje gjigante, që habiti gjithë botën. Kur bimët e kanabisit pasi rriteshin, ujiteshin, thaheshin, magazinoheshin, ngarkoheshin në skafe nga vetë policia e shtetit. Kur radarët fikeshin e tonelata me drogë niseshin, qetë-qetë, drejt Italisë.

Pasi kishte realizuar e tejkaluar objektivat për mbushjen e hambarit të Rilindjes me vota, Saimir Tahiri, në vitin 2015 garantonte shefin e policisë së Dibrës, ‘mos e rruaj’, këtë e bënte në tavolinë me Edi Ramën dhe kryetarin e Komisionit të Ligjeve, ministrat kryesorë të qeverisë e gjithë kupolën e Rilindjes.

Kur Moisi Habilaj ankohej në përgjimin e famshëm, se Saimir Tahirit nuk i mjaftojnë as 20 milionë euro nga droga që shisnin, për një fushatë elektorale, kishte të drejtë. Sepse nuk bëhej fjalë që krimi të siguronte vetëm mandatin e Tahirit në Tiranë, por duhej hambari i votave dhe deputetëve në parlament në një shumicë absolute, sa e kërkonte Edi Rama.

‘E dinë ata (prokurorët) sa unë shpenzoj për fushatë dhe paskam shpenzuar 20 milion euro… po nëse edhe prokurorët e besojnë këtë, atëherë duhet të kishin hetuar duke filluar nga Edi Rama dhe çdo person tjetër pas për të mësuar se nga vijnë këto para’, mbrohej Saimir Tahiri atëherë.

Dhe pikërisht ky është thelbi. Kurë nuk u hetua kanabisimi i vendit, si një çështje kriminale e organizuar nga maja e piramidës shtetërore deri poshtë. Nga përgjegjësit në rrethe, te drejtorët lokalë, ministrat e Brendshëm e deri te kryeministri.

Vetë Tahiri atëherë, në përpjekje të mbrojtjes së kokës së tij lëshoi mesazhin, se nëse dënohej si shef i Habilajve, atëherë duhej të dilte edhe ‘shefi i madh’ i atij vetë dhe i gjithë `habilajve`, nga Jugu në Veri të vendit.

Tani që pritet që të thirret nga SPAK pas zhvillimeve me dy shoqëruesit e tij trafikant, të shohim se çfarë do të thotë. Sidomos për dosjen e kokainës ‘Xibraka’, të cilën ja ka përdorur Edi Ramës sistematikisht si shantazh.

Ditën që Saimir Tahiri doli dhe deklaroi se tërhiqej nga mandati i deputetit dhe po bëhej gati për pranga, lëshoi mesazhin e fundit për Edi Ramën:

‘Unë nuk jam vetëm, jam një nga Ata…’. Dhe Rama e morri mesazhin dhe mbrojti, deri sa në skenë u shfaq operacioni ‘Shpirti’.

Tani është koha dhe rasti të shohim qartë, nëse SPAK ka integritetin dhe pavarësinë që proklamon.

A do të tregojë më në fund Tahiri, se kush janë ‘Ata’ dhe cili e ideoi dhe urdhëroi skemën kriminale të shndërrimit të Shqipërisë në Bazë Ndërkombëtare të krimit të organizuar, siç edhe thotë edhe Departamenti i Shtetit në të gjithë raportet e këtyre 4-5 viteve të fundit?

Gjithçka mund të ndodhë, por një gjë është e sigurt: ‘Vesi’ i Rilindjes përderisa nuk hiqet dot me votë dhe nga kjo opozitë që rrotullohet rreth vetes, del vetëm me shpirtin e saj!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here