Opozita kritika qeverisë për pagat dhe pensionet, ministrja e pranon: Nuk janë aty ku duhet

Në Komisionin e Ekonomisë sot pritet të miratohet projektbuxheti i vitit 2022, por deputët e opozitës sërish janë ndaluar te problmeatikat që kanë evidentuar në ndarjen e këtij buxheti.

Deputeti Arbi Agalliu ka thënë se buxheti nuk është shpërndar siç duhet, duke kërkuar që dëgjohen dhe grupet e interesit. Ai theksoi se shpresa nuk duhet mbajtur te marrja e borxheve, por te fuqizimi i disa sektorëve. Sipas tij, duhen taksuar “më të fortët”.

“Unë e shoh si një buxhet jo të shpërndarë siç duhet, nëse objektivi kryesor është mbushja e buxhetit të shtetit, mbushja e gropave që vijën nga abuzimi apo keqqeverisja nuk e shohin me vend që ky buxhet të ketë këtë lloj shpërndarje.

Kemi evidentuar se këto që kërkojnë më shumë para dhe mbështetje, do ju bëja thirrje të dëgjoni grupet e interesit dhe të dalim jashtë politikës dhe të shikojmë të gjithë aty ku është nevoja. Të mos e shohim zgjidhjen te borxhi, por te rritja e eficencës së sektorëve përkatës. Të taksojmë tek më i forti, te ata që tregtojnë produkte luksi dhe jo ato jetike”, tha Agalliu.

Nga ana tjetër, demokrati Edmond Spaho ka kërkuar rritje te pagave dhe pensioneve. Ai shprehet kundër optimizmit të qeverisë, duke vënë theksin te gjendja e vështirë që krijon marrja e borxhit. Deputeti kërkoi që qeveria ta pasqyrojë situatën siç është realisht dhe të diskutojë me opozitën për zgjidhjen.

“Ju e paraqisni me nota pozitive edhe të ardhmen edhe borxhin. Po ku qenka kështu, hajde vendosim rregullin fiskal. Por nuk jemi mirë dhe optimizmin na e jepni me aq doza sa ekziston realisht. Nuk ka optimizëm sa kohë marrim borxh. E hoqëm rregullin fiskal sepse ndryshe ngelim pa investime dhe rriskojmë edhe pagat dhe pensione.

Është më e udhës të na ekspozoni gjendjen siç është dhe të bisedojmë bashkërisht se çfarë mund të bëhet. Sot jemi në nivelin më të ulët të pagave. Po nuk patëm një program që në harkun e 4 viteve të dyfishojmë pagat dhe pensionet, ne nuk shkojmë agjëkundi, Ky nivel i ulët dhe qesharak i pagave dhe pensioneve, më kujton komunizmin me shprehjen ju bëni si sikur paguani dhe ne bëjmë sikur punojmë”, u shpreh Spaho.

Edhe kreu i LZHK-së, Dashamir Shehi ka kërkuar rritje të pagave dhe pensioneve, duke paralajmëruar se nuk do ta votojë këtë projektbuxhet. Ai ka deklaruar se dhe këtë herë është mbrojtur interesi i PPP-ve.

“Është e qartë që opozita do të votojë kundër, ky buxhet sido që të rrotullohet me këto ndryshime të vogla, por duke qene vit pandemie, mendova se do të bëhej një kapërcim cilësor sa i përket pagave dhe pensioneve që të mos i lëmë qytetarët vetëm.

Në fakt nuk ka ndodhur kjo punë, është bërë një rritje për ushtarakët, më pëlqen ajo ide, por duhet të ishte bërë për të gjithë shqiptarët, për nënpunësit për mësuesit, po aq sa ushtarakët. E cila do tërhiqte dhe sektorin privat. Nuk e kanë bërë, ndaj unë nuk e votoj. Këtu është mbrojtur prapë interesi i PPP-ve ia atyre grupeve të mëdha”, tha Shehi.

Pasi dëgjoi kritikat e opozitës, ministrja e Ekonomisë Delinda Ibrahimaj e pranoi se pagat nuk janë në nivelin e duhur, por evidentoi se subvecionet për fermerët dhe ndihma ekonomike kanë ardhur në rritje.

“Buxheti parashikon ulje të borxhit, rritje të subvencioneve të fermerëve, rritje të mbështetjes për shtresat në nevojë dhe një nivel më të lartë të rritjes ekonomisë se mesatarja e viteve të kaluara.

Vërtetë pagat mesatare nuk janë aty ku duhet, por sërish ka pasuar një rritje të ndejshme të tyre dhe do të punojmë që ato të rriten përmes politikave rritëse dhe rritje të produktivitetit”, tha Ibrahimaj.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment