“Para 30 viteve vriste Gramoz Ruçi, sot Rama dhe Lleshaj”, Bardhi për ekzekutimin e të riut: Kanë ndryshuar emër, por jo model!

0
144

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, ka reaguar pas vrasjes së të riut, Klodjan Rasha, mbrëmjen e djeshme nga një efektivë policie, në përpjekje për ta ndaluar pasi kishte thyer orën policore.
Ndërsa ngjarja përkon me 8 dhjetorin, Ditën e Rinisë, Bardhi shprehet se ekzekutori i Rashës nuk është efektivi i policisë, por Rama e Lleshaj .
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Bardhi bën përgjegjës Ramën dhe Lleshajn “për miqësimin e Policisë me bandat dhe armiqësimin me qytetarin”.
“Para 30 viteve rininë e rrihte, persekutonte dhe vriste Gramoz Ruçi, sot e dhunon, gjobit dhe vret Edi Rama dhe Sandër Lleshaj. Kanë ndryshuar vetëm emër, por jo model!”, shkruan Bardhi.
Postimi i Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së, Gazmend Bardhi:
Para 30 viteve rininë e rrihte, persekutonte dhe vriste Gramoz Ruçi, sot e dhunon, gjobit dhe vret Edi Rama dhe Sandër Lleshaj. Kanë ndryshuar vetëm emër, por jo model!
Vrasja e një të riu 25 vjeçar, vetëm se nuk i ndaloi Policisë për vendosjen e maskës dhe orarin e ndalimit të lëvizjes, është shokuese. Të dhënat e para për vrasjen e një 25 vjeçari në mes të Tiranës nga Policia e Shtetit hedhin dyshime të forta për vrasje me dashje pa asnjë shkak. Njoftimet zyrtare të Policisë së Shtetit qartazi krijojnë bindjen e tentativës për manipulimin dhe fshehjen e së vërtetës, me justifikime qesharake të denja për një bandë.
Prokuroria duhet të ndërmarrë menjëherë masat për ndalimin e manipulimit të ngjarjes dhe zbardhjen e të vërtetës. Secili prej nesh pret drejtësi për këtë akt kriminal të pashembull dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes.
Policia që vret një të ri në Ditën e Rinisë është modeli më i keq i Policisë së Shtetit. Sot vrasësi i të riut nuk është efektivi i policisë, por Edi Rama dhe Sandër Lleshaj, me politikën e tyre qeveritare të armiqësimit të Policisë me qytetarët dhe miqësimit të Policisë me bandat.
Është irrituese që në 8 vite Edi Rama ndërtoi modelin e Policisë që nuk lufton krimin, por burgos, gjobit dhe vret qytetarët e pambrojtur.
Është e paprecedentë që në 8 vite në vend të komunikatave të përditshme sesa grupe kriminale ka zbuluar dhe arrestuar, Policia e Shtetit është fokusuar vetëm tek informacioni i përditshëm sesa gjoba i ka vendosur qytetarëve. Kjo nuk është arsye se përse ekziston Policia e Shtetit. Kjo është një politikë e gabuar, që e armiqëson Policinë me qytetarët dhe e miqëson me bandat.
Kjo duhet të marrë fund menjëherë!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here