Kryeministri Edi Rama u shfaq pas një mbledhje maratonë të qeverisë në një resort luksoz, me projekte të shumta 3D me vete.
Ai foli për shtëpi të rrëzuara nga projekti që do rindërtohen, për rrugë, parqe, tunele, aeroporte që do realizohen brenda vitit që na pret.
Për ironi, ai nuk kishte një përgjigje kur u pyet nëse do ketë një shpërblim fundviti për pensionistët. Ai tha se do të vendoset në mbledhjen e së martës.
“Nesër kemi mbledhjen e qeverisë dhe do të flasim dhe për këtë. Çfarë na ka ndodhur, na ka bërë më të kujdesshëm, jo të frenuar. Ideja ka qenë të mos cenojmë prioritetet dhe pensionistët nuk janë kurrë një kategori që mund ta neglizhojmë, por jemi të kujdesshëm sepse duam të jemi të sigurt 100% që do ta përballojmë qoftë edhe vetë rindërtimin dhe për këtë duhet të presim konferencën e donatorëve, që të kemi një qartësi sa do të jetë barra e përgjithshme”, u shpreh kryeministri.
I pyetur nëse ka ndonjë kritikë për punën e ministrave, kryeministri Edi Rama tha se ka vetëm një kritikë: qeveria nuk po bën sa duhet për të informuar median dhe publikun për gjërat e mëdha që po bën.
“Kur sheh punën e bërë dhe gjërat që janë në proces, mendoj se është punë goxha e madhe. Një nga gjërat që do të shohim sesi mund të përmirësohet është komunikimi dhe informimi mbi këtë punë. Ne mund të fajësojmë veten për mosgjetjen e mënyrave të duhura për të përçuar shumë gjëra që bëhen,” tha Rama.