Pesë fantazma po vërtiten nëpër spitalet ‘gjermane’ të Edi Ramës!

Nga Poli Hoxha

Në të njëjtin vend, në të njëjtën hapësirë, në një periudhë kohe të kufizuar; e njëjta rastësi nuk është tjetër gjë, veçse domosdoshmëri.

Ky është një postulat që ka lindur bashkë me shkencën e filozofisë.

Dhe nëse ka një vend në Shqipëri ku po vërtetohet në mënyrën precize, ai është spitali Covid 2 “Shefqet Ndroqi” dhe “Infektivi” në Tiranë.

Brenda pak muajve, 5 të shtruar për t’u kuruar nga virusi Covid-19, ngrihen natën nga shtretërit e tyre dhe hidhen nga ballkoni e dritaret për t’i dhënë fund jetës.

Të njëjtët spitale, të njëjtët mjekë (një pjesë) të cilët rreshtohen përpara kamerave, për të bërë deklarata kundër opozitës dhe medies kritike, sa herë që kërkojnë transparencë për kushtet aty.

Është një vend ku nëse të futet familjari, nuk mëson dot kurrë se si i kaloi ditët e fundit. As amanetet dhe as brengat me të cilat ikin, sepse as një telefon nuk të lënë. Njësoj si në bunkerët eksperimentalë të NASA-s!

Por skandali, krimi mbi “krimin”, është se të pesta këto “rastësi” që kanë çuar në domosdoshmëri fatale, ende nuk po hetohen.

Tre javë më parë kryeministri, Edi Rama, duke folur për këtë temë dhe në mbrojtje të kushteve në spitalet e tij që qenkan njësoj si ata në Gjermani, deklaroi: “Si mundet të ngrihet këtu teza që njerëzit vetëvriten, për shkak të kushteve në spitale?!

Shifrat botërisht tregojnë atë që është paralajmëruar në mënyrë të vazhdueshme, nga ekspertët botërisht. Një nga pasojat e futjes së këtij armiku të padukshëm në trupin e njeriut është edhe nxitja për të vrarë veten, e cila është e materializuar”.

Rama na foli për studime që tregojnë se virusi të nxit që të vrasësh veten, por nuk dha raste apo shifra. Apo se në cilin spital të botës kjo gjë, nga nxitje prej virusit paska ka kaluar në “materializim” vetëvrasës.

Nuk e bëri, sepse nuk ekziston. Dhe këtë më shumë se kushdo e dimë ne, që merremi gjithë ditën me lajmet.

Ky rast i përsëritur 5 herë rresht, është “materializuar” pikërisht në spitalet COVID-1 dhe 2. Katër herë te i pari dhe një herë te i dyti. Të gjitha këto “rastësitë” në një hark të shkurtër kohor dhe të gjitha të pahetuara, për fillin dhe detajet që mund t’i ndërlidhin.

Kur një person futet në spital, ajo që e karakterizon më së shumti është shpresa dhe jo fataliteti.

Nëse virusi është një “çip”, i cili sipas Ramës kur vihet në veprim të shtyn drejt vetëvrasjes, atëherë do të kishim ndonjë rast edhe nga “ushtria” e mijëra e mijëra të infektuarve të cilët e kurojnë dhe e kalojnë infeksionin nëpër shtëpitë e tyre, apo edhe në spitalet e tjera private.

Vetëvrasja dhe tentativa për vetëvrasje sipas Kodit Penal, fillimisht duhet të hetohet si “vrasje”.

Këtë e di mirë kushdo që e ka pasur një fatkeqësi të tillë në familje, apo rreth të njohurish. E di edhe më mirë policia dhe prokuroria.

Hapet hetim, pyeten të gjithë ata që kanë dijeni dhe kanë pasur ndërlidhje dhe ndikim, te i ndjeri apo te ata që kanë tentuar në këto spitale dhe ne ende nuk dimë asgjë.

Hetohen kushtet, rrethanat dhe çdo gjë tjetër që ka përjetuar i vetëvrari në ditët dhe orët e fundit të jetës.

Është një procedim penal, i cili nuk ka shans që të mos kalojë nga prokuroria, e cila pas një hetimi, vendos që ta mbyllë ose të çojë përpara përgjegjësisë penale nxitësit direkt apo indirekt për aktin final të (vrasjes) vetëvrasjes.

Në dijeninë time për 5 vetëvrasjet te spitalet Covid-2-1, nuk ka pasur hetime të këtij niveli. Madje hiç fare!

Nëse gaboj, atëherë le të nxjerrin një deklarim zyrtar ku njoftohet nisja e hetimit. Por e vërteta është se atje, nuk ka shkuar as policia dhe as prokuroria, për të këqyrur vendngjarjen.

Jo atë “vendngjarje” ky dergjet kufoma në oborr por atë lart, brenda ku ka nisur gjithçka.

Gjithashtu nuk janë thirrur për t’u pyetur as drejtuesit e këtij institucioni. As mjekët dhe as psikologët që kanë trajtuar (ose jo) të sëmurët. As të shtruarit e tjerë dhe as familjarët. Nuk ka një raport se çfarë ilaçesh janë përdorur dhe në çfarë kushtesh psiko-materiale qëndronte i infektuari, etj, etj.

Askush nuk di gjë dhe kurrkush nuk po bën as përpjekjen më të vogël për të mësuar se përse ata të pestë, në vend të “heronjve” dhe “spitalit gjerman” të Edi Ramës, zgjodhën fluturimin nga dritarja dhe përplasjen makabre dhe fatale në asfaltin e oborrit të spitalit!

E përsërisim: Nuk ka hetim të thelluar (vetëm letra formale), asnjë përgjigje për mijëra pyetje që shqetësojnë jo vetëm familjarët e të vetëvrarëve “papritur” në një vend ku shkojnë për t`ja hedhur vdekjes dhe jo për ta përqafuar atë.

Këtë të hënë pas lajmit për vetëvrasje e pestë te Covid-2, më erdhi ndërmend vrasja makabre e studentes Kozeta Hyseni në shkurt të vitit 1999 në ambientet e “Qytetit Studenti”.

Pasi kaluan shumë kohë dhe masakrimi i 21- vjeçares vazhdonte të mos kishte autor, në “Qytetin Studenti” nisi të përflitej gjithandej një histori rrëqethëse.

Fantazma e Kozetës shfaqej natën, herë pas here, në ballkonin e dhomës dhe përreth godinës 25 ku ajo banonte deri kur u vra në mënyrë makabre në një lulishte aty pranë.

Kishte shumë studentë “dëshmitarë” në atë kohë që e besonin dhe betoheshin, se e kishin parë vërtet këtë fantazmë që kërkonte drejtësi.

Mu kujtua e ndiera Kozetë dhe fantazma e saj, sepse jam i bindur që deri sa të hetohen deri në fund ‘5 rastësitë’ me ‘vetëvrasje’ te COVID 1-2, pesë fantazma do të vërtiten aty.

Pavarësisht se Edi Rama do të vazhdojë që të na thotë, se ato skena që na i paraqet në filmat e tij janë njësoj si në spitalet gjermane!

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment