Po transportonte emigrantë të paligjshëm për 150 euro secili, në pranga 40-vjeçari nga Gjirokastra

0
180

Një 40-vjeçar ka rënë në prangat e policisë, teksa ishte duke transportuar 68 emigrantë të paligjshëm në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë.

Sipas informacioneve, në momentin e ndalimit, drejtuesi i mjetit E. K., ka tentuar të korruptojë me një kartëmonedhë 1000 lekë, punonjësit e policisë me qëllim shmangien e kontrollit.

Njoftimi i plotë:

Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme në kuadër të operacionit policor “Perimetri”.

U kap duke transportuar 68 emigrantë të paligjshëm, vihet në pranga 1 shtetas i cili për të shmangur kontrollin, tentoi të korruptonte punonjësin e policisë.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në bashkëpunim me strukturat e Sektorit për Hetimin e Krimeve në DVP Korçë, Policinë Kufitare dhe Policinë Rrugore, në vijim të operacionit të koduar “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. K., 40 vjeç, banues në Gjirokastër.

Shërbimet e Policisë Rrugore kanë konstatuar në aksin rrugor Pogradec-Qafë Thanë, në afërsi të fshatit Piskupat, Pogradec, shtetasin e mësipërm duke transportuar me mjetin tip kamion të markës “Benz”, 68 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit prej 150 euro secilit iu ishte premtuar kalimi i tyre drejt vendeve të BE-së.

Në momentin e ndalimit, drejtuesi i mjetit E. K., ka tentuar të korruptojë me një kartëmonedhë 1000 lekë, punonjësit e policisë me qëllim shmangien e kontrollit.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Pogradec për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” kryer në bashkëpunim dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here