Policia e partisë, policia që s’duam – Nga Ilir Gjini

0
171

Plumbat e policisë ndaj të riut Klodian Rasha që kishte thyer orarin e lëvizjes, nuk morën vetëm jetën e tij, por thyen rëndë edhe besimin e publikut te policia. Edhe nëse do të kishim të bënim me një rast sporadik kjo do të ishte shqetësuese, kur në fakt rastet e abuzimit të policisë me publikun janë të shumta.
Megjithë deklamimet elektorale për rend dhe siguri të partisë në pushtet, realiteti është i hidhur. Nga “policia që duam” e Tahirit që mbante koferenca shtypi me policë me maska si fasadë në sfond e deri te heqja e “barkderrave” dhe e “të vjetërve” e Lleshit, policia, nga Polici e Shtetit është kthyer në polici të partisë.
Nuk ishte parë kurrë më parë që policët të vadisnin arat e kanabisit dhe trafikantë droge të përdornin makinën e ministrit të Rendit. Veprimet e policisë me banorët e unazës dhe dhuna ndaj aktorëve që mbronin teatrin qe e paprecedent. Dhuna e ushtruar ndaj një djaloshi 15- vjeçar që kish thyer 10 minuta orën policore dhe historita me familje me biografi të keqe e Kryepolicit Veliu në Parlament, e kapercejnë edhe imagjinatën e barcoletave humoristike policeske.
Në vendet demokratike këto veprime abuzive do të sillnin një reagim të menjëhershësh të shoqërisë. Mjafton të sjell në vëmendjen tuaj plagosjen pa dashje të një qytetari britanik nga policia, ngjarje ndaj të cilës e gjithë shoqëria angleze reagoi. E si pasojë e këtij reagimi, qeveria angleze vendosi që policët e rendit të mos mbajnë armë zjarri, por vetëm pistoleta elekrike, pasi nuk kanë trainimin e nevojshëm, duke lejuar përdorimin e armëve të zjarrit vetëm nga policia kriminale dhe forcat speciale.
Në vendin tonë kjo nuk ndodh për shumë arsye, disa prej të cilave janë frika ndaj pushtetit që mund të hakmerret, nga vendi i punës e deri tek taksat e taksidarët që të gjobisin, çmontimi i protestave të opozitës dhe i artistëve të teatrit jo vetëm me gaz lotsjellës, por edhe me gazin mbytës të propagandës mediatike të ndihmuar edhe nga “ambasadorët e rrugës së Elbasanit” që më shumë se demokracinë, shohin interesat okulte të pushtetit.
Dhuna si opsion për mbajtjen e pushtetit
Një fjalë jo e urtë popullore thotë: “druri ka dalë nga xheneti”. Këtë “postulat” e ka vënë në axhendën e vet edhe “Rilindja” për të mbajtur me çdo çmim pushtetin. Ne zgjohemi e ngrysemi çdo ditë me dhunën mediatike të pushtetit, ku lajmi dhe gazetaria është zëvendësuar nga propaganda. Në të gjitha TV-të kombëtare bëhet lajm edhe kur Rama ndërron kravatën, ndërsa për liderin e opozitës sajohen me regji të kryeministrit histori agjentësh 007.
Policët e Lleshit të mbysin me gaz lotsjellës e të shoqërojnë në polici jo vetëm kur proteston, por edhe po qeshe me zë të lartë kur kalon kryeministri. Parlamenti ku spikatin kllounë që mbajnë petkun e opozitarit, ngre kartonat “pro” edhe kur gjymtohet me ligje inkuzicioni media e lirë, por edhe kur sakatohet Kushtetuta për të përjetësuar në pushtet liderin “rilindas”.
Qershia në këtë tortë të prishur por me fasadë të paraqitur bukur nga media, është Drejtësia e Re…por në vend të Moisiut shpëtimtar, papritur doli një Xhind që nuk plotëson “dëshirat” e ligjit por tekat e pushtetit. Prandaj mos u habisni që sot një polic drejtoi armën mbi qytetarin, pasi nesër do shikoni gjyqtarë që dënojnë opozitën siç bënë me Saliajnin, apo media si JOQ apo Ora News që do t’u mbyllet goja.
Në këtë det të trazuar nga ujrat e pandemisë Covid-19 me gjithë zhgënjimet dhe skandalet e panumërta, barka rilindase do lundrojë drejt zgjedhjeve të 25 Prillit për t’i fituar ato, pasi veç medias së propagandës, do përdorë edhe “dhunën që ka dalë nga xheneti” për mbajtjen me çdo kusht të pushtetit. Këtë do ta shohin të gjithë shqiptarët, por nuk dihet nëse do mund ta shohë Ambasadorja Kim!
©Ilir Gjini

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here