Policia mbajti sekret rrezimin e avionit!.

Vetëm pasi deputeti Flamur Noka lëshoi deklaratën bombë në parlament, se një avion me drogë u rrëzua në Ishëm, policia e Durrësit nisi të vihej në lëvizje. Jo për të gjetur avionin, se atë e kishte “zbuluar” që në mëngjes, por për të dhënë sqarime, të cilat kishin munguar edhe gati 4 orë pasi ngjarja kishte ndodhur.

Rehatia iu prish edhe ministrit Tahiri, që nuk e hoqi telefonin nga veshi në sallë. Edhe kryeministrit Rama që hyri e doli menjëherë.

Avioni kishte rënë në orën 08.45 minuta të mëngjesit të së kësaj të enjtje. Policia ishte në dijeni. Kishte kryer të gjitha veprimet. Kishte marrë në pyetje pilotin italian, 69 vjeçarin Guido Andrea Guido, e kishte besuar versionin e tij dhe njoftoi zyrtarisht se ishte thjesht një ulje e detyruar. Anjë veprim tjetër.

Mungesa e njoftimit për këtë ngjarje, në një kohë kur policia nuk ngurron të njoftojë edhe për aksidente rrugore me biçikleta, ngre një valë dyshimesh.

Përse e mbajti të fshetë ajo një ngjarje kaq të dyshimtë? Përse njoftimi i saj zyrtar fliste për aksident? A nuk ndodhi 2 vjet më parë që një avion me drogë u rrëzua në Divjakë? A nuk është zona e Fushë – Krujës dhe Krujës e mbushur me plantacione me kanabis? A nuk është kjo koha e korrjes së bimës narkotike që po shtrihet deri në dyert e komisariateve?

Media dhe prokurorët e Durrësit dhe ata të krimeve të rënda u nisën drejt lumit Ishëm, në vendin ku ai derdhet në Adriatik, pasi Flamur Noka lëshoi bombën.

Me të mbërritur, ata zbuluan një pistë 1.5 kilometër të gjatë, të hapur para 10 ditësh, siç bën të ditur një burim i Lapsi.al.

Pista ishte pranë vendit ku u rrëzua avioni i italianit Guido Andrea Guido. Por policia e Durrësit, e cila drejtohet nga Perlat Cullhaj, i akuzuar nga opozita si i lidhur me trafikantët e drogës, nuk e kishte parë! Nuk e kishte raportuar, e as që i dukej e dyshimtë.

Në parlament, ashtu si në kohën kur Rama fliste për mushkonja kur Berisha denonconte Riformaton e Divjakës, Rama e Tahiri folën me qesëndi. Sulmuan Flamur Nokën për denoncimin dhe folën për suksese në luftën kundër drogës dhe kultivimit të kanabisit.

Derisa policia “kishte kryer veprimet” në Ishëm, ata dolën të qetë para mediave.

Në vendin ku ra avioni u gjetën gjurmë mjetesh të rënda bujqësore. Po ashtu edhe shenja ruli që ishte përdorur për të sheshuar pistën.

Prokurorët nuk kanë mëdyshje: pista – thonë ata –  është hapur nga kultivuesit e kanabisit. Dëshmia e pilotit ngjall dyshime të forta, gjithashtu. Ai u tha policëve të Durrësit, që e morën nga avioni i rrëzuar dhe e dërguan deri në qytet, se ishte nisur nga Bari për në veri të Italisë, se pastaj kishte vendosur të fluturonte mbi detin Adriatik “ngaqë ishte kohë e bukur”. Se kishte patur avari në lartësinë mbi 5 000 këmbë dhe se kishte bërë një ulje emergjente.

Linja që ai duhej të ndiqte është krejtësisht e ndryshme me skajin tjetër të Adriatikut në Shqipëri.

Disa banorë të zonës kanë dëshmuar se përpara se të ulej avioni ndenji disa minuta në fluturim dhe kontrolloi zonën. Më pas u ul afër pistës. Banorët thanë se nëse ishte ulje emergjente, ai kishte gjithë fushën përgjatë Ishmit për t’u ulur dhe s’kishte pse të provonte zonën me shkurre.

Në zonën me shkurre ishte fshehur pista e sapodërtuar. E njëjtë me pistat ilegale për të cilat flisnin mediat italiane dy vjet më parë.

Krimet e Rënda janë alarmuar nga ky rast. Prokuroria e Përgjithshme vetëm disa javë më parë shpërndau një qarkore ku u kërkonte organeve të saj në rrethe që të hetonin mbi kultivimin e kanabisit, pasi ishte shndërruar në fenomen shqetësues. Tani, kanabisi është në fazën e korrjes. Dhe shqetësimi i hetuesve janë rrugët e reja që po përdoren për të trafikuar drejt Italisë kanabisin që prodhohet anembanë Shqipërisë.

Disa skafe me drogë janë kapur këto javë nga policia italiane, të nisur nga Vlora apo Lezha. Një kamion u ndalua nga policia kufitare në Durrës. Tani, në sezonin e korrjeve janë kthyer edhe avionët, të cilët diktohen apo kapen vetëm kur bien vetë. Ndërsa policia, në kompleksin e të akuzuarit se po bashkëpunon me trafikantët, ose e fsheh informacionin, ose i paraqet rastet si ky i sotmi, si ngjarje aksidentale. /Lapsi.al

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment