Policia nuk i kursen gjobat as për qytetarët që kthehen nga plazhi.

0
146

Policia nuk i kursen gjobat as për qytetarët që kthehen nga plazhi.
Më shumë se 222 shoferë të gjobitur dhe rreth 45 patenta të bllokuara! Ky është rezultati i një aksioni të fundit të policisë shqiptare në të gjitha akset e vendit, por me një përqendrim të shtuar në akset e rrugëve plazhet e bregdetit shqiptar
Lajmi është bërë i ditur nga vetë policia në një njoftim të fundit për shtyp.
‘Në të gjitha akset rrugore janë gjobitur 222 shoferë dhe 45 shoferë u është pezulluar leja e drejtimit’, shkruhet në njoftimin e forcave të rendit.
Po ashtu policia u ka bërë apel të gjithë qytetarëve të respektojnë rregullat e qarkullimit, pasi në të gjitha akset rrugore nacionale ka fluks të shtuar. Kjo sipas tyre vjen për faktin se ka filluar kthimi nga zonat bregdetare në Tiranë.
Njoftimi i Policisë së Shtetit:
Ka filluar kthimi nga zonat bregdetare, në drejtim të Tiranës dhe Morinës, i pushuesve që lëvizin në fundjavë.
Në të gjitha akset rrugore nacionale ka fluks të shtuar, por pa krijuar radhë e vonesa, fluksi është i rrjedhshëm.
Policia Rrugore ka shtuar prezencën e shërbimeve me uniformë në rrugë, por edhe të shërbimeve civile në patrullim, si dhe po monitoron me 4 dronë parakalimet e gabuara dhe me 6 radarë shpejtësinë tej normave të lejuara, me qëllim parandalimin e aksidenteve rrugore.
Deri në këto momente në akset Lezhë-Thumanë, Himarë-Vlorë-Fier-Durrës-Tiranë dhe Milot-Morinë, Gjiri i Lalzit-Maminas, Rrogozhinë-Elbasan, Korçë-Elbasan-Tiranë, janë evidentuar 45 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi tej normave të lejuara, të cilëve iu është pezulluar leja e drejtimit.
Janë evidentuar dhe ndëshkuar me masë administrative, në të gjitha akset rrugore nacionale, 222 drejtues mjetesh që kanë kryer parakalime të gabuara dhe manovra të rrezikshme në rrugë duke u bërë shkak për aksident rrugor.
Njëkohësisht, shërbimet e Policisë Rrugore në të gjitha akset rrugore, kanë konstatuar lëvizje të çrregullta në rrugë apo manovra të rrezikshme dhe kanë ndaluar 37 drejtues mjetesh dhe motomjetesh.
Pas alkooltesteve ka rezultuar se 18 prej tyre drejtonin mjetet nën ndikimin e alkoolit, me masa alkooli që varionin nga 0.27 mg/l deri në 0.41 mg/l, të cilëve u është pezulluar leja e drejtimit.
Po gjatë pasdites e deri në këto momente janë vendosur 137 masa për përdorim të celularit, 87 masa për mospërdorim të rripit të sigurimit dhe 21 masa për mosvendosje të kaskës mbrojtëse.
Policia Rrugore apelon për drejtuesit e mjeteve që të respektojnë rregullat e qarkullimit, sinjalistikën orientuese dhe kufizuese, të mos kryejnë parakalime të gabuara duke rrezikuar jetën e tyre dhe të përdoruesve të tjerë të rrugës, të zgjedhin dhe përdorin rrugë alternative në rast fluksi dhe të telefonojnë në 112 apo të dërgojnë imazhe në Komisariatin Dixhital, për ata drejtues mjetesh që shkelin rregullat e qarkullimit, duke u kthyer në rrezik për aksidente rrugore.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here