Presidenti Meta, intervistë për gazetën greke “To Vima”. Marrëveshja e detit, pa shkelur “vijat e kuqe”

0
252

Presidenti Ilir Meta, në një intervistë për gazetën greke “To Vima”, sqaroi pozicionin e tij në lidhje me negociatat Shqipëri-Greqi për kufirin detar.

Kreu i shtetit theksoi se “vendimi i vitit 2010 i Gjykatës Kushtetuese, që e shpalli nul marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufirin detar, jo vetëm që argumentonte pse marrëveshja e vjetër ishte e papranueshme nga ana kushtetuese, por vinte edhe piketat për një marrëveshje të ardhshme. Nëse një prej këtyre elementëve anashkalohet, para ose gjatë negociatave, është një shkelje e Kushtetutës”.

Një pjesë e intervistës së presidentit Meta:

Muajt e fundit, Athina dhe Tirana kanë nisur një dialog të gjerë për të zgjidhur çështjet dypalëshe në një marrëveshje-paketë. Një nga çështjet më të ndjeshme ka të bëjë me detin, një marrëveshje e nënshkruar nga të dyja vendet në vitin 2009, por e gjykuar jokushtetuese nga Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë. Kohët e fundit ju refuzuat t’i jepnit ministrit të Jashtëm, Ditmir Bushati, autorizimin për të vazhduar negociatat për një marrëveshje të re me homologun e tij Nikos Kotzias. Pse e bëtë këtë?

E para, kam nënvizuar gjithmonë faktin se marrëdhëniet e Shqipërisë me Greqinë janë të një rëndësie të madhe strategjike. Kam dashur gjithmonë që të shikoj një dialog të hapur për të diskutuar të gjitha çështjet me interes. Axhenda aktuale nuk vjen nga një planet tjetër, as nuk është e imponuar, por ka disa çështje, disa të trashëguara nga e kaluara dhe disa nga e tashmja, të gjitha me interes të përbashkët për popujt tanë. E vlerësoj faktin që ka vullnet të mirë për t’u ulur dhe për të diskutuar këto çështje. Shpresoj që të adresohen në mënyrën më eficente të mundshme.

E dyta, Shqipëria dhe Greqia janë të interesuara për të pasur një marrëveshje për kufirin detar. Është shumë e rëndësishme që të dyja palët të hyjnë në procesin e negociatave me një mision të qartë: të arrijnë një marrëveshje që është e ligjshme, e implementueshme dhe e pakthyeshme.

Në këtë kontekst, të dyja vendet janë të ndërgjegjshme se ndërkohë që janë pjesë e Konventës për të Drejtën Detare, duhet t’i nënshtrohemi ligjeve të vendeve përkatëse.

Vendimi i vitit 2010 i Gjykatës Kushtetuese, që e shpalli nul marrëveshjen mes Shqipërisë dhe Greqisë për kufirin detar, jo vetëm që argumentonte pse marrëveshja e vjetër ishte e papranueshme nga ana kushtetuese, por vinte edhe piketat për një marrëveshje të ardhshme. Këto piketa tregonin institucionet, hapat, procedurat dhe metodologjinë që mund të implementohej nëse do të negociohej një marrëveshje e re. Askush nuk mund t’i anashkalojë këto hapa.

Nëse një prej këtyre elementëve anashkalohet, injorohet, shmanget ose ndryshohet, nga çdo institucion, para ose gjatë negociatave, është një shkelje e Kushtetutës. Në të njëjtën kohë, çdo marrëveshje e re që nuk respekton “vijat e kuqe” mund të mos pranohet nga Kushtetuesja.

E treta, ju siguroj sërish juve dhe lexuesve tuaj se, pala shqiptare, përfshirë Presindetin e Republikës dhe institucionet e tjera, do të hyjnë në këtë dialog me vendosmërinë për të arritur një marrëveshje finale. Kam qenë krejtësisht transparent me institucionet shqiptare, aktorët politikë dhe opinionin publik për të pasur një marrëveshje siç duhet.

Një tjetër çështje delikate është kërkesa e Tiranës për heqjen e ligjit të luftës me Greqinë. Duket se kjo çështje do të zgjidhet dhe shumë shtetas shqiptare do të marrin pronat e tyre. A e konsideroni këtë një hap të madh përpara?

Ligji grek i luftës është një nonsens politik. Është një paradoks i pashpjegueshëm se si dy vende që janë palë në Traktatin e Miqësisë, Bashkëpunimit, Fqinjësisë së Mirë dhe Sigurisë, pa përmendur këtu që janë aleate në NATO, në të njëjtën kohë janë në një regjim unilateral lufte, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Ka edhe një paradoks tjetër. Ndërkohë që Greqia nuk e ka hequr këtë ligj absurd që ndikon te shtetasit e pafajshëm shqiptarë, të cilët nuk marrin dot pronat e tyre në Greqi, i jep të drejtën shtetasve shqiptarë me origjinë greke të marrin pronat e tyre në Shqipëri. Në këtë kontekst, heqja e këtij ligji është një akt pjekurie politike që ngre statusin e vetë Greqisë. Sigurisht që heqja e ligjit do të përmirësojë klimën e besimit të përbashkët dhe do të bëjë që të ecim përpara me çështje të tjera të rëndësishme.

Çfarë mendimi keni për Çështjen Çame, për të cilën disa anëtarë të qeverisë shqiptare vazhdojnë të flasin? A përbën kjo për ju një çështje dypalëshe? Besoj se e dini që qeveria greke nuk e njeh si çështje. A nuk mendoni se përsëritja e kësaj çështjeje i helmon marrëdhëniet bilaterale?

Kam pasur mundësi të takoj homologët e mi grekë, edhe në detyrat e mia të mëparshme, dhe kam diskutuar shumë çështje me ta. Kam vënë re maturi dhe përgjegjësi nga të dyja palët për çështjet që na prekin. Kemi rënë dakord që ka plagë të trashëguara nga e kaluara jonë, që duhet t’i diskutojmë me kujdes, duke iu shmangur protagonizmit spekulativ.

Në këtë kontekst, Shqipëria dhe Greqia duhet të shpalosin pikëpamjet e tyre në mënyrë të hapur dhe të vazhdojnë një dialog të sinqertë, përfshirë Çështjen Çame. Kemi rënë dakord deri tani që për këtë çështje kemi pikëpamje të ndryshme, por kjo nuk duhet të ndalojë përpjekjet graduale për të arritur një marrëveshje të përbashkët dhe një zgjidhje për këtë çështje. Kjo gjë kërkon gjakftohtësi dhe një klimë pozitive besimi, në mënyrë që të përballemi me të shkuarën dhe të ardhmen e përbashkët në Europë.

Ka pasur ankesa nga minoriteti grek në Shqipëri se kryeministri Edi Rama ka marrë disa iniciativa kundër tij. Ata ankohen, mes të tjerash, për atë që po ndodh me pronat greke në Himarë. Si përgjigjeni ju? A mendoni se politikat e kryeministrit Edi Rama ndaj Greqisë po i përkeqësojnë gjërat?

Problemet me pronat janë një sfidë e madhe që Shqipëria i ka trashëguar nga e shkuara e saj komuniste. Qeveri të ndryshme kanë pasur qasje të ndryshme ndaj këtij fenomeni, që është bërë edhe më i vështirë pas lëvizjeve të shumta të popullsisë brenda vendit. Kthimi i pronave, kompensimi apo legalizimi është një problem i përditshëm i shoqërisë shqiptare. Kjo nuk është një politikë diskriminuese ndaj minoriteteve. Ligji i ri për të drejtat e minoriteteve në Shqipëri është një garanci shtesë për minoritetet, duke përfshirë faktin se të drejtat e pronës ndiqen dhe monitorohen nga Këshilli i Europës dhe Bashkimi Europian.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here