Printim parash si te ‘La Casa de Papel’ për qytetarët? Sqaron Sejko: Helikopteri monetar i paaplikueshëm

E premte, 10 prill 2020/

I ftuar në “Ekopolitikë” nga Besart Kadia në RTV Ora, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko foli edhe për printimin e parasë dhe dhënien asaj qytetarëve.

Ai u shpreh se helikopteri monetar është një teori që është e aplikueshme, dhe shtoi se nëse do të aplikohej në vendin tonë do të shtonte inflacionin.

Besart Kadia: Shqiptarët sot po shohin serialin “La Casa de Papel”, ku kanë parë që printohen para dhe me ato para mund të bëjnë ç’të duan. Ka dalë edhe një diskutim edhe në Shqipëri për paratë helikopter, ku thuhet pse nuk po printohen dhe t’u jepen qytetarëve. E keni menduar, dhe nëse nuk e bëni pse? 

Sejko: Kjo është një teori që ka lindur për periudha krizash, si ajo e vitit 2008. Nuk është aplikuar. Përgjithësisht, bankat përmes instrumenteve të tyre kanë aplikuar një lehtësim sasior. Banka qendrore evropiane dhe ajo e Amerikës janë dy shembujt kryesor, po ashtu edhe ajo e Japonisë dhe Anglisë, për lehtësimin monetar dhe sasior. Lehtësimi monetar është ulja e normës së interesit për të mundësuar kreditimin, konsumin dhe investimet. Kurse lehtësimi sasior është ai që bankat qendrore kanë bërë duke ndërhyrë në likuiditet duke blerë borxhin e qeverisë, duke blerë bono thesari përmes sistemit bankar, dhe duke injektuar likuiditet në treg dhe i kanë dhënë frymëmarrje ekonomisë. Një nga teoritë e caktuara në këto kohëra të vështira, ka qenë edhe teoria e helikopterit monetar që banka qendrore të shpërndajë para dhe t’i shpërndajë te qytetarët. Kjo ka mbetur një teori, një koncept dhe është e paaplikuar, e cila nëse do të aplikohej, do të kishim një inflacion të shtuar. Kjo nuk është një planet dhe strategjitë tona. Ne kemi likuiditetin e nevojshëm në sistemin financiar dhe bankar. 

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment