Prokuroria Speciale, akuza për 100 vrasje ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit

Prokuroria Speciale e Hagës, ka ngritur zyrtarisht akuza ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veseli.
Akuzat janë paraqitur që në muajin prill në Hagë, ndërsa sot janë bërë publike.
Sipas Prokurorisë Speciale, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli akuzohen për 100 vrasje të paligjshme.
Njoftimi në lidhje me akuzat ndaj Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit:
Më 24 prill 2020, Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) u paraqiti Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) një aktakuzë me dhjetë pika për shqyrtim prej Gjykatës, ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, e të tjerë, të cilët akuzohen për një sërë krimesh.
Ndaj tyre është ngriturakuza për krime kundër njerëzimit dhe krimesh lufte ndër të cilat, vrasje e paligjshme, zhdukje e detyruar e personave, përndjekje dhe tortura.
Në Aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afërsisht 100 vrasje të paligjshme.
Krimet e paraqitura në Aktakuzë përshijnë qindra viktima të identifikuara shqiptarë, serbë dhe romë të Kosovës dhe kundërshtarë politikë.
Aktakuza është vetëm një padi penale e cila është rezultat i një hetimi të gjatë dhe dëshmon vendosmërinë e ZPS-së se mund t’i provojë të gjitha akuzat jashtë dyshimit të arsyeshëm.
Një gjykatës i procedurës paraprake i DHSK-së është duke e shqyrtuar Aktakuzën për të vendosur nëse do t’i konfirmojë akuzat.
Prokurori i Specializuar e gjykon të domosdoshëm nxjerrjen e këtij njoftimi publik për akuzat, për shkak të përpjekjeve të përsëritura të Hashim Thaèit dhe Kadri Veselit për pengimin dhe sabotimin e punës së DHSK-së.
Besohet se z. Thaçi dhe z. Veseli kanë ndërmarrë në fshehtësi një fushatë për shfuqizimin e ligjit që krijoi Gjykatën dhe ndryshe kanë penguar punën e Gjykatës në orvatje për t’i bishtnuar drejtësisë, Nëpërmjet këtyre veprimeve, z. Thaçi dhe z. Veseli kanë vënë interesat e tyre vetjake mbi viktimat e krimeve të tyre, sundimin e ligjit dhe popullin e Kosovës.

SHPËRNDAJE

Shkruaj nje koment